Fatos Balla, specialist në Sektorin e Hetimit në SHÇBA ka kaluar me sukses Vetingun në Policinë e Shtetit. Balla ka zhvilluar të mërkurën seancën dëgjimore, teksa sot u paraqit përpara Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për t’u njohur me vendimin e trupës gjykuese të këtij komisioni, që përbëhej nga treshja: Ana Kapaj, Marjeta Gjelaj dhe Ela Kerka.

Sipas trupës gjykuese deklarimet e Ballës janë gjetur të sakta dhe figura e tij është e pastër dhe pas këtij konstatimit, trupa e komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, e vlerësoi si pozitive dhe performancën e Ballës gjatë karrierës së tij. Në përfundim të këtyre konstatimeve, trupa vendosi konfirmimin në detyrë të shtetasit, Fatos Balla me detyrë specialist në Sektorin e Hetimit në SHÇBA.