Atalanta ka fituar një ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Romës me rezultatin 2-1. Ekipi i Berat Gjimshitit i dha vetes një plus shumë të madh në luftën për zonën Champions falë 3 pikëve të siguruara në shtëpi. Lojtari shqiptar ishte protagonist në këtë sfidë. Takimi nuk nisi aspak mirë për Atalantën që nuk arriti të shënonte, madje në fundin e pjesës së parë i bëri një dhuratë kundërshtarëve. Palomino i dhuroi topin Dzekos në minutën e 45′ dhe ky i fundit nuk fali për 0-1.
Pjesa e dytë nisi me vrull tjetër. Palomino del sërish në skenë, por këtë herë duke barazuar rezultatin. Ai zhytet bukur me këmbë duke përcjellë në rrjetë një top të goditur me kokë nga Berat Gjimshiti për 1-1. Goli i dha vrull Atalantës që gjeti dhe golin e dytë me anë të Pasalic.Ky i fundit u aktivizua në fushë në minutën e 59′ dhe në prekjen e parë të topit realizoi mjaft bukur. Një gol që vlejti për 3 pikë, pasi nuk u ndryshua rezultati deri në fund. Atalanta shkon në kuotën e 45 pikëve duke blinduar vendin e katërt, ndërsa Roma mbetet në vendin e 5-të me 39 pikë.