Rreth një vit më parë, në shkurt të vitit 2019, opozita filloi një sërë protestash kundër qeverisë, të cilën e akuzon se ka ardhur në pushtet me votat e blera me paratë e krimit. Në një dalje televizive në datën 8 shkurt 2019, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh e bindur se do të largonin kryeministrin Edi Rama. Për më tepër, Kryemadhi u shpreh publikisht se nëse nuk ikën Rama nga politika, do të ikë nga politika ajo së bashku me Lulzim Bashën.
“Ai nuk ka parë asgjë akoma… Ai është pa oksigjen. Më 16 Shkurt, ose do iki unë me Lul Bashën, ose do iki Rama!”-deklaroi Monika Kryemadhi, më shumë se një vit më parë. Në fakt 16 shkurti erdhi, Partia Demokratike dhe Levizja Socialiste për Integrim protestuan rreth pesë orë përpara Kryeministrisë. Më pas protesta u mbyll dhe nuk ndodhi asgjë. Nuk iku Rama, por nuk ikën as Kryemadhi dhe as Basha.
Pas kësaj proteste opozita dogji mandatet, zhvilloi edhe rreth dhjetë protesta të tjera kombëtare, bojkotoi edhe zgjedhjet vendore. Rama mori në tavolinë 61 bashki, siguroi edhe një mazhorancë kushtetuese për të bërë çtë dojë. Sot pas një viti, Basha vijon të jetë kryetari i PD-së, Kryemadhi vijon të qëndrojë në krye të LSI-së dhe Edi Rama vijon të jetë kryeministër. Tani pyetja jonë është se cili nga këta të tre do të ikë?/ CNA.al