Barcelona po përballet me një negociim të ndërlikuar me Interin, lidhur me transferimin e Lautaro Martinez në “Camp Nou”. Kështu bën me dije sot “Calciomercato”. Duket se klubi katalanas nuk është në gjendje ta paguajë klauzolën e lirimit të argjentinasit me një këst të vetëm. Sidoqoftë, Blaugrana-t po përpiqet shumë që ta gjëjnë një marrëveshje, ngaqë e konsiderojnë Lautaro zëvendësuesin ideal të Luis Suarez, i sponsorizuar për i tillë edhe nga Lionel Messi. Flitet edhe për një interesim të Real Madridit për sulmuesin në fjalë, çka i vështirëson gjërat.
Kampionët e La Liga-s në fuqi nuk mund ta paguajnë klauzolën prej 111 milionë eurosh, e cila aktivizohet midis 1 dhe 15 korrikut, pasi do të binte ndesh me “fairplay financiar”. Në një situatë të tillë, Barça ka dy mundësi: të përfshijë lojtarë të tjerë si pjesë e një marrëveshje të mundshme, ose të pranojë kushtet e Interit, klauzolën aktuale të lirimit, por duke e paguar shumën në një plan afatgjatë, për tri deri në katër vite.
Ndërkohë, katalanasit po mendojnë edhe për planin B. Një ofertë i është bërë Timo Werner, sikurse raporton “The Athletic”, por sulmuesi i RB Leipzig është duke pritur një kalim te Liverpool. Ndërkombëtari gjerman duket i prirur të transferohet në verë në “Anfield”, pasi mendon se do të përshtatej mirë me “Reds” dhe atje do të gjente patriotin e vet si trajner, Jurgen Klopp.