Ditën e sotme janë shënuar 11 raste të reja me koronavirus në Shqipëri duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 197.

Ministria e Shëndetësisë bëri me dije në deklaratën e saj se ka pasur 79 të dyshuar me COVID-19, mes të cilëve vetëm 11 kanë rezultuar pozitivë.

Megjithatë, lajmi i mirë ishte se mes të infektuarve, janë shëruar plot 33 persona, të cilët tashmë kanë lënë edhe spitalin.

Një prej të shëruarve është edhe e ëma e vajzës së parë shqiptare që pranoi se ishte e infektuar me COVID-19.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale.

“Sot dua t’ju qetësoj pak duke ju treguar që mami testoi negative dhe doli tashmë nga spitali. Mirënjohje pa fund për çdo mjek/e, infermier/e e madje dhe sanitaret e spitalit infektiv që janë në linjën e parë të rrezikut këtë periudhë. Mirënjohje për të gjithë ata që këto ditë janë në shërbim të publikut dhe nuk qëndrojnë dot në shtëpi. Mirënjohje dhe për ata që qëndruan në shtëpi duke u kujdesur për veten dhe të tjerët”, shkruan vajza.

Pak ditë më parë, e reja bëri publik një mesazh prekës për të gjithë, ku tregonte se duhet të marrim seriozisht masat, pasi koronavirusi nuk është lojë.

Ajo tregoi me detaje si po kalonte këtë periudhë dhe theksoi se nuk e dinte se ku ishte infektuar.