Nga Arben Beqiri/
A do t’ia dalim? Këtë pyetje ma bëjnë këto ditë shumë miq, të afërm, pacientë të shqetësuar nga lajmet e përditshme mbi pandeminë nga COVID-19.
Me keqardhje konstatoj që rrugët e Tiranës janë të mbushura dhe vetëm ndonjë maskë tek-tuk të kujton që nuk është ditë e zakonshme pushimi!Nuk ka të ngjarë që ne ta kalojmë këtë situatë më lehtë se vendet e tjera por duke qenë pak më të vonuar në prekjen nga kjo pandemi, kemi mundësi të mësojmë shumë nga eksperienca e të tjerëve.
Nuk ekzistojnë as veprime, masa apo buxhete magjike që të mund të zgjidhim situatën. Por ekzistojnë të gjitha premisat që përhapja e këtij infeksioni tepër ngjitës të kufizohet në maksimum!Nuk duhet të lejojmë që për çdo dy pacientë që dalin nga terapia intensive, 5 të rinj të shtrohen në terapinë intensive. Kjo do të bllokonte plotësisht sistemin shëndetësor.Mjekët dhe infermierët po punojnë dhe do të vazhdojnë të punojnë pa u lodhur për t’u ardhur në ndihmë të sëmurëve. Me kënaqësi konstatoj që vlerësimi për ta sot është në maksimum.Shpresoj që të mos harroni dhe që kjo të vazhdojë edhe pas kësaj pandemie.
A do t’ia dalim? Sigurisht që po!
Me një kusht, askush të mos takojë askënd për disa ditë, më e mira 2 javë. E bëni dot këtë të dashur qytetarë? Qëndroni dot në shtëpitë tuaja duke evituar çdo kontakt me persona të tjerë? Do t’i bënit një shërbim gjigant familjes dhe atdheut tuaj!Vetizolohuni! E keni ju në dorë!