Stuhia e paralajmëruar për shpërthimin e COVID-19 nisi. Pandemia e shkaktuar nga COVID -19 hyri të hënën, (23.03.2020) në javën e tretë, në atë të shpërthimit të saj intensiv. Deri në orët e para të pasdites, të hënën u dyfishuan viktimat dhe rastet e reja të prekura nga virusi vdekjeprurës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Përkrahjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri pasdite bilancin e ditës së parë të javës së rrezikshme: “Numri i viktimave arriti të hënën në 4, njëri prej tyre në moshën 43 vjeҫare, që nuk vuante nga asnjë sëmundje; rastet e reja janë 15; personat e testuar arritën në 856. Hartës së të prekurve iu shtuan të hënën Vlora dhe Shkodra”, tha ajo për mediat.

Tirana vazhdon të kryesojë me 68 të prekur, e ndjekur nga Fieri me 8 raste, Durrësi me 7, Vlora me 4, Kavaja dhe Korҫa me 3, Elbasani, Lushnja, Rrogozhina me 2 dhe Shkodra me 1 rast.

Në Spitalin infektiv në Tiranë numri i të prekurve arriti në 49 pacientë. Nga pacientët e shtruar në dy javët e para të pandemisë janë shëruar vetëm 5 vetë.

Qeveria po forcon masat për izolimin e vendit. Pas mbylljes së të gjitha lidhjeve ajrore dhe detare me Italinë, vendet fqinje dhe Britaninë e Madhe, ajo ndërpreu në mesnatën e djeshme, (22.03.2020) të gjitha fluturimet nga dhe drejt Shqipërisë, E vetmja linjë ajrore që funksionon për ndihma humanitare është ajo nga dhe drejt Stambollit, e kompanisë ajrore Air Albania, me 51% të aksioneve të zotëuara nga Shqipëria dhe 49 % nga Turqia, që udhëton me flamurin shqiptar.

Rama apel qytetarëve: Mos luani me zjarrin

Pas 40 orësh në karantinë totale, autoritetet lejuan të hënën daljen e kufizuar nga vetë -izolimi: vetëm 8 orë, nga ora 5 e mëngjesit deri në orën 13.00, të pashoqëruar me askënd dhe në distancë të paktën prej 1 metri nga ҫdo kalimtar dhe klient në supermarket dhe farmaci.

Kryeministri Rama, që ndodhet në vetë-izolim bashkë me familjen në shtëpinë e tij që nga 12 marsi, u solli në vëmendje qytetarëve të hënën, vlerën e paҫmuar të jetës përmes respektimit strikt të kufizimeve apo sic i cilësoi ai ato “të ligjit të luftës.” “Kemi hyrë në një javë tejet të vështirë. Mos luani me zjarrin. Duhet të ndalim me çdo kusht kërdinë. Do humbasim njerëz, por të mos humbasim një mal me njerëz, kurrën e kurrës” iu drejtua kryemnistri Rama, të hënën qytetarëve.

A kërcënon Shqipërinë skenari italian i epidemisë?

Por frika nga kërdia është e pranishme tanimë. Numri ҫdo ditë në rritje i viktimave në veriun e Italisë është tmerrues: mbi 400 mijë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj. Virusin në Shqipëri e sollën lëvizjet e shqiptarëve në muajin shkurt në dy anët e Adriatikut. Autoriteteët bëjnë me dije se më shumë se 100 mijë shqiptarë kanë udhëtuar gjatë shkurtit nga Italia në Shqipëri dhe në drejtim të kundërt.

A kërcënohet Shqipëria nga i njëjti skenar si ai në Itali? Kjo është pyetja tronditëse që ngrihet tani në Shqipëri.

Prof. Pëllumb Pipero, mjek infeksionist i njohur në Shqipëri thotë për DW, në komunikim on line se ” këtë javë rastet do të shtohen shpejt. Ne shohim majën e ajsbergut të kesaj pandemie, pasi njohim rastet që kanë simptomat e sëmundjes dhe gjurmojmë për të identifikuar rastet e kontaktit,” thotë ai për DW. “Nuk besoj që në Shqipëri do ndodhë skenari Iitalian. Kjo ngaqë autoritetet morën që herët masa kufizuese dhe mospasja e të njëjtës strukture moshore të popullatës me sëmundje kronike” thekson ai. Ai vë në dukje, se nëse ky skenar do të ndodhte në Shqipëri, do të ishte shumë e vështirë për ta përballuar.

Shqipëria – kapacitete të pamjaftueshme, jetik vetë-izolimi

Një mundësi hipotetike e skenarit italian do të ishte katastrofë për Shqipërinë. „”Është fakt që kemi nje numër te kufizuar respiratorësh dhe shtretërish në repartet e terapisë intensive. Kemi emergjencë për pajisje mbrojtëse për personelin shëndetësor dhe medikamentet e reja qe kanë treguar më shumë efikasitet dhe siguri për qytetarët”, thotë Dr. Pipero.

Ai thekson se pandemia e COVID-19 i ka tejkaluar parashikimet dhe kapacitetet në shumë vende. “Tani është bërë pothujse e pamundur për të trokitur në porta të tjera për ndihma apo blerje. Prandaj më shumë se respiratorët dhe medikamentet, rezultatet efikase për të mos ndodhur skenari italian apo spanjoll është bindja e qytetarëve për të respektuar në mënyrë të rreptë vetë-izolimin dhe rregullat e mbrojtjes të vehtes dhe të të tjerëve,” thotë Dr. Pipero për DW.

Thirrjet për të respektuar kufizimet nga të gjithë pa asnjë përjashtin janë shtuar. Dr. Dritan Kalo, infeksionist u bëri apel atyre që thyejnë kufizimet: „Me këtë mënyrë sjellje të papërgjegjshme përkundrejt Covid-19, nuk do të jetë e largët dita kur Italia do t’ju duket lule. Ruajeni e duajeni veten tuaj, qëndroni në shtëpi që t’ju mbrojë e shpëtojë mjekësia” bëri ai thirrje publike të hënën.