Covid-19 mund të sulmojë këdo. Dhe historia zemërthyese e Julie, 16 vjeç, për fat të keq vjen për të na kujtuar këtë gjë. Kjo adoleshente e mrekullueshme, nxënëse në një shkollë të mesme në Essonne, vdiq natën mes së martës dhe të mërkurës nga një infeksion me koronavirusin e ri. Ajo është pacientja e parë e mitur që vdes nga kjo sëmundje në Francë.

“Ne duhet të ndalemi së besuari se kjo prek vetëm të moshuarit. Askush nuk është i pathyeshëm kundër këtij virusi mutant”, deklaroi motra e saj më e madhe, Manon, nga shtëpia ku ndodhet e izoluar bashkë me nënën e saj.

Gruaja e re rrëfen rrethanat e kësaj drame “verbuese”. Julie kishte vetëm një kollë të lehtë javën e kaluar. U bë më keq këtë fundjavë me mukus dhe të hënën shkuam për t’u vizituar tek një mjek të përgjithshëm. Aty ajo u diagnostikua me shqetësime të frymëmarrjes. Ajo nuk kishte sëmundje të tjera para kësaj”.

Nga aty më pas gjithçka vazhdoi me një shpejtësi të çmendur. Së pari u shtrua në spital në Longjumeau (Essonne), më pas u transferua brenda natës në Spitalin Necker. E ndihmuar nga një aparat frymëmarrjeje, ajo u intubua të martën në mbrëmje. Një ndërhyrje që ajo nuk e përballoi dot. “Mushkëritë e saj nuk funksionuan më. Mjekët bënë gjithçka që mundën, por zgjimi i saj ishte i pamundur”, shton motra e saj.

Ajo dhe nëna e saj do të arrinin shumë vonë natën. “Ishte e dhunshme. Kishim kohë ta shihnim, por shpejt duhej të mendonim për të ardhmen. Duke pasur parasysh rrethanat e epidemisë, protokolli ikën shumë shpejt. Është e ndërlikuar por do të duhej pak më shumë humanizëm”.

Ndërsa varrimi do të bëhet të hënën – “me dhjetë persona maksimumi” – një tjetër moment meditimi është planifikuar tashmë në shkollën e saj.
Ambicioze dhe e dashur nga të gjithë në shkollën e mesme. “Julie pëlqente të kërcente, të këndonte, t’i bënte njerëzit të qeshin… Gjithçka përveç qëndrimit duke mos bërë asgjë”. E apasionuar pas muzikës dhe vallëzimit, ajo shkonte rregullisht në Paris për të marrë pjesë në “vitrinat”, mini-koncerte nga artistë të organizuar në klubet e natës.

Prindërit e nxënësve nga shkolla e saj, po kërkojnë ndihmë psikologjike për fëmijët e tyre. “Si të tjerët, vajza ime ka fjetur shumë keq që nga ai lajm i tmerrshëm. Është absolutisht thelbësore që të gjithë mund të ndihmohen psikologjikisht, përndryshe do të zhyten”, tha një nënë.