Ambasadori i Republikës së Polonisë në Tiranë, Karol Bachura, deklaroi sot se “brenda një periudhe të shkurtër kohore shoh sërish me admirim solidaritetin e shqiptarëve në çaste të vështira, në një kohë kur askush nuk ka imunitet përballë natyrës, si në tërmetin e nëntorit, ashtu edhe tani në pandeminë botërore”.
“Sikundër 40 vjet më parë në Poloni lindën sindikatat e pavarura punëtore “Solidarnost”, të cilat një dekadë më vonë çuan në përmbysjen e komunizmit, po ashtu edhe sot shoh një solidaritet të jashtëzakonshëm të miqve të mi të zemrës-Shqiptarëve, solidaritet që do të sjellë pa diskutim fitoren mbi epideminë. Më gëzon veprimi i koordinuar në emër të qëllimeve të epërme nga ana e presidentit, kryeministrit, qeverisë, opozitës dhe gjithë shoqërisë. Në këtë luftë askush nuk ka imunitet”, – shprehet Bachura.
Ambasadori polak thekson se “në këtë luftë me armikun e përbashkët e të padukshëm i Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta familjeve të viktimave të pandemisë, duke u bërë njëherësh thirrje të gjithëve të respektojmë me vendosmëri maksimale masat shtrënguese që të mund të dalim nga kjo luftë me sa më pak humbje”.
“Përkulem me nderim të thellë përpara përpjekjes titanike, mbinjerëzore, të mjekëve, infermierëve, shoferëve të ambulancave dhe gjithë personelit shëndetësor, por edhe para gjithë atyre që na garantojnë ecurinë pa probleme të karantinës mbarëkombëtare-furnizuesve me energji, internet, farmacistëve, marketeve, bankave dhe administratës. Nuk harroj këtu edhe ata që i vunë fre shpengueshmërisë sonë të fillimit-policinë e shtetit, ushtrinë, policinë bashkiake. Një bravo e madhe për gazetarët që na infomojnë të palodhur mbi dinamikën e situatës. Ky solidaritet do të na duhet gjithashtu pas fitimit të kësaj lufte, në rindërtimin e botës pa COVID-19”, – nënvizon Bachura.
Ambasadori Bachura thekson se “errësira e pandemisë mbuloi jo vetëm shkëlqimin e fillimpranverës, por edhe dritën e të ardhmes sendërtuar këtë javë me vendimin e çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Vendimi, që për mua ka qenë paksa i vonuar, është vendimi më i drejtë dhe tërësisht i merituar për Shqipërinë. Përgëzoj gjithë ata që ndër vite punuan për këtë ditë, ky sukses u përket gjithë Shqiptarëve! Po hyni tashmë në autostradën që do t’ju çojë drejt qëllimit final, drejt anëtarësimit në BE. Në këtë rrugë do t’ju duhet të kapërceni të gjitha pengesat për të afruar sa më shumë destinacionin final. Me solidaritet si shqiptarë kujdesuni për veten në këto kohë. Me solidaritet si njerëzim të kujdesemi për veten”.
“Gjithmonë në frymën e Solidaritetit Poloni-Shqipëri, javën e shkuar, në kuadër të operacionit Lot do Domu! (Fluturojmë për në shtëpi!) , sipërmarrje e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Polonisë dhe kompanisë ajrore PLL LOT u bë i mundur riatdhesimi i shtetasve shqiptarë që ndodheshin në Poloni dhe shtetasve polakë që gjendeshin në Shqipëri.Kurajë dhe durim”, – thotë ambasadori polak Bachura.