Nga Romina Selenica

Ndërkohe që ti flije i qetë, pasi gjithë ditën ishe ankuar mbi masat e marra, kishe treguar “fortësinë tënde“ mbi shkeljen e izolimit, unë prisja me ankth përgjigjen nëse dhe një tjetër koleg i imi nuk do të zgjohej sot në mëngjes, prej COVID-19 +.

TI që mendon se je kaq i fortë sa të prishësh gjumin tim, t’i ndalësh jetën dikujt, t’i plagosësh zemrën një nëne, vetëm sepse të duket një masë ekstreme qëndrimi në shtepi.

Më pyet mua atëherë, mua që dal nga shtëpia në mëngjes, përshëndes prindërit e mi në telefon (mbi një muaj që nuk i shoh) dhe lutem që të kthehem në shtëpi edhe sot, e të mos përfundoj dhe unë si shumë koleg COVID 19 +.

Unë që po të drejtohem, jam një femër, një motër, një vajzë, një MJEKE sot në Itali (shtetin më të prekur). Unë jam ajo që sot përfaqësoj ata heronj, që ndërkohë që ju qëndronit jashtë kur toka dridhej nga tërmeti, kolegët e mi rrinin BRENDA spitaleve për t’i shërbyer mikut, familjarit apo edhe ty.

Ne jemi po ata sot, që ndërkohë, që ju kërkohet të rrini në shtëpi për të “shpëtuar” veten tuaj dhe atë të komunitetit, ne jemi po BRENDA spitaleve, për t’i shërbyer po mikut, familjarit apo ty.

Nuk u ankova kur toka u dridh, por sot më ulëret shpirti. Sot ndihem e pafuqishme, sot ndihem e mbytur sikur askush nuk më dëgjon. Unë nuk i kërkoja dot Zotit të ndalte tërmetin, vetëm i lutesha atij, ama sot unë të kërkoj ty që të ndalosh Virusin.

Unë sot, të kërkoj ty të izolosh këtë armik që ndodhet jashtë, kudo, në Shqipëri dhe në Botë.

Unë sot, të lutem ty mos të më marrësh jetën mua, kolegut tim, familjarëve të mi apo të çdo qënie njerëzore.

Unë sot, të lutem të më dëgjosh, që ajo Shqipëri e vogël, me plagë plotë ende të pashëruara mos të vuaj më shumë.

Unë sot, të lutem ty sot që të izolosh veten, që të gëzosh dhuratën më të shtrenjtë që është “Jeta“. Duaje Jetën tënde, timen, të çdo kujt.

QËNDRO NË SHTËPI. Na lini ne, ashtu siç jemi betuar, me ngarkesën emocionale, lodhjen fizike, shpirtin e ndarë nga familjarët, të kurojmë ato jetë sot COVID-19 +, pa rritur më shumë numrin e tyre. Mos plagosim më shumë familje, mos presim më jetë në mes.

TË LUTEM !! Le të jemi ndryshe, t’i tregojmë botës kulturën, bindjen, dashurinë për familjen, për jetën!

T’i tregojmë në fund botës që ne e Fituam Luftën me COVID-19 me sa më pak jetë të humbura!

TË LUTEM, QËNDRO NË SHTËPI!

Dr. Romina SELENICA, mjeke shqiptare që punon në Itali