Kryeministri Edi Rama deklaroi se në Shqipëri nuk do të ndodhë që mjekët dhe infermierët të mund të preken prej koronavirusit, për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtësë prej virusit.

“Në monarkinë e shëndetësisë botërore në Francë, tani që flasim kanë vdekur 3 mjekë. Kanë humbur jetën 3 mjekë. Që do të thotë që infektimi i mjekëve nuk është diçka që ndodh vetëm në Shqipëri apo duhet të na terrorizojë apo që mund të parandalohet kudo në mënyrë uniforme. Që një i sëmurë që vjen nga Italia dhe nuk e tregon fare që ka qenë në Itali kur e pyesin dhe shkon në një shërbim komplet tjetër që s’ka lidhje fare me COVID e infekton tërë dynjanë, janë gjëra që janë pjesë e luftës. Por asgjë e tillë nuk ndodh dhe nuk do të ndodhë në Shqipëri për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse sepse kjo mungesë në shërbimin tonë në vijin e parë nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë”,- tha Rama.

Më tej, Rama argumentoi  po ashtu se fondi i vënë në dispozicion bizneseve është garanci sovrane për të paguar shpenzimet e personelit dhe jo dhuratë në këtë situatë “lufte”.

“Fondi është një instrument garancie sovrane për të paguar shpenzimet për personelin e detyruar të qëndrojë në shtëpi. Në të gjithë botën edhe në SHBA, është e njëjta skemë. Nuk ka para që i falen biznesit, ka instrumenta financiare dhe garanci sovrane që i mundësojnë biznesit të marrë frymë në luftë. Nuk ekzistojnë  dhuratat në këtë skemë në asnjë vend të botës. Janë para që biznesi nuk i ka, janë para që biznesi nuk i merr dot dhe janë të garantuara nga garancia sovrane e Republikës së Shqipërisë siç janë të garantuara në të gjithë botën. Nuk ka instrumente financiarë në këtë situatë në asnjë vend të botës që nxirren nga buxheti, se ju kam dëgjuar që flisni për miliardat e Gjermanisë apo miliardat e Amerikës. Ato miliarda nuk janë dhurata. Janë instrumente lehtësues në një kohë lufte”, -tha Rama.