Austria mbështet një përafrim të shpejtë Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Në një reagim të saj, Ministria e Jashtme e Austrisë ka theksuar se,“ vlerësimi pozitiv i Komisionit Europian tregon, se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë gati për çeljen e negociatave.“Austria mbështet një përafrim të shpejtë të dy vendeve me BE-në dhe vazhdon angazhimin e saj për perspektivën e zgjerimit për të gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Komisioni Europian i ka rekomanduar sërish Këshillit hapjen e negociatave me Shqipërinë. “Në vijim të progresit domethënës të arritur dhe të kushteve të përcaktuara njëzëri nga Këshilli në qershor 2018 që janë përmbushur, Komisioni Europian rekomandoi në paketën e tij të zgjerimit 2019 që Këshilli të hapte negociatat e pranimit me Shqipërinë, thuhet në raportin e KE për Shqipërinë publikuar më 2 mars. ”Në përgjithësi, Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj dhe ka dhënë rezultate të tjera të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore të identifikuara në Konkluzionet e Këshillit të Qershorit 2018”, shtohet në të. ”Për rrjedhojë, bazat e rekomandimit të Komisionit për vitin 2019 për të hapur negociatat e pranimit me Shqipërinë mbeten të vlefshme”, theksohet në raportin e KE-së për Shqipërinë.

KE evidenton se Shqipëria ka bërë përparime në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti plotësimin e të gjitha dosjeve me përparësi, dhe përfundimin e krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore, siç parashikohet në reformën kushtetuese. Gjithashtu, KE përmend edhe “finalizimin e krijimit të organeve të specializuara, përkatësisht Strukturës Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Gjykatës.