Milan Jovic, babai i sulmuesit serb të Real Madridit, Luka Jovic, ka thënë se djali i tij duhet patjetër ta pranojë çfarëdo ndëshkimi që i jepet, për shkak se i kishte thyer rregullat duke dalë nga karantina për të shkuar në Beograd.

Ylli i Real Madridit u kritikua ashpër pse udhëtoi drejt Serbisë nga kryeyqteti spanjoll për ta festuar ditëlindjen e të dashurës së vet, edhe pse është dashur të qëndronte në karantinë 14-ditore me urdhër të klubit, transmeton Gazeta Express.

Kjo ka ngjallur kritika të ashpra në Serbi dhe babi i tij Milan ka folur për Puls Online rreth kësaj situate.

“Luka iu nënshtrua dy testeve për koronavirus dhe dy herë doli negativ”, tha Milan Jovic.

“Kjo është arsyeja përse ai mendoi se kishte të drejtë të shkonte në Serbi. E tani duket sikur ai është kriminel i madh. Nëse ai duhet të shkojë në burg, do të shkojë”, shtoi ai.

“Unë pajtohem plotësisht me presidentin dhe kryeministrin serb për ngritjen e akuzave kriminale, por vetëm nëse është fajtor”, theksoi ai.