Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla uroi arsimtarët me rastin e 7 Marsit nga Elbasani.Së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja, deputeten Evis Kushi dhe përfaqësues të Zyrës Arsimore u shpërndanë çertifikata për mësues që ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre për edukimin e brezave.Në fjalën e tij Balla tha se 110 vite më parë Normalja e Elbasanit do të niste misionin e saj për të shpërndarë dije duke përgatitur mësues të cilët do të sakrifikonin çdo gjë për Gjuhën e Kulturën Shqipe.“Nuk mund të kishte vend tjetër më kuptimplotë se Normalja e Elbasanit për të uruar 7 Marsin. Kontributi që çdo familje elbasanase ka dhënë për arsimin në Shqipëri dhe në të gjitha trojet shqipfolëse.110 vite më parë Normalja e Elbasanit do të niste misionin e saj për të shpërndarë dije duke përgatitur mësues të cilët do të sakrifikonin çdo gjë për Gjuhën e Kulturën Shqipe”, tha Balla.Balla foli më tej për iniciativat më të fundit ligjore për të rritur mesataren e pranimit të studentëve, të cilët dëshirojnë të studiojnë për mësuesi.“Vetëm në këtë mënyrë, arsimi do të ruajë majat e tij, me mësues të përgatitur, për të edukuar më pas breza cilësorë”, u shpreh Balla.
Së fundmi, Këshilli Bashkiak i Elbasanit vendosi krijimin e një Muzeu Arsimi të mirëfilltë i cili do të mbajë brenda tij vlera të paçmuara të arsimit ndër vite. Gjithashtu ky muze do të jetë një atraksion i turizmit kulturor në Elbasan.