Klubi i Barcelonës ka vendosur që të mos presë më lojtarët dhe ka vendosur në mënyrë të njëanshme t’u shpallë luftë atyre duke shkurtuar rrogat e futbollistëve për periudhën e kohëzgjatjes së ndërprerjes të aktivitetit si pasojë e koronavirusit.
Drejtuesit dhe përfaqësuesit e lojtarëve po negocionin prej dy ditësh, bisedime ku u përfshinë edhe FIFA e ECA, por nuk u gjet gjuha e përbashkët.
FIFA ishte munduar që të ndihmonte në negociata që rrogat të shkurtoheshin me 50%, pasi mendonte se nëpërmjet shembullit të katalanasve, do të bindte dhe klubet e tjera kudo në botë që të vepronin në të njëjtën mënyrë, por akordi nuk u arrit dhe Barcelona vendosi të mos priste më Mesi & Co, duke paralajmëruar se nuk përballonte dot shpenzimet për ata.
Ndaj sot në darkë bordi doli me një komunikatë ku bënte të ditur se do të kishte ndërhyrje dhe se një pjesë e pagesave që kishin lidhje me departamentin e sportit dhe të administratës do të pësonin shkurtime.
“Ky është një reduktim i ditës së punës, i imponuar nga rrethanat dhe masat mbrojtëse në fuqi, ndaj si rrjedhojë vjen edhe reduktimi proporcional i përfitimeve që rrjedhin sipas kontratave përkatëse”, shpjegohej në komunikatën e klubit, por ku nuk bëhej e qartë sa ishte përqindja e shkurtimit.