Presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales, ka përjashtuar mundësinë që Barcelona të shpallet kampione si lidere aktuale e tabelës së La Ligës nëse sezoni 2019/20 s’mund të përfundohet deri më 30 qershor shkaku i koronavirusit. Ndeshjet e La Ligës u vendos të suspendohen javën e kaluar, kur kanë mbetur edhe 11 xhiro për t’u luajtur, shkaku i përkeqësimit të krizës së koronavirusit në Spanjë dhe Evropë. Dje mediat spanjolle raportuan se Barcelona, që është për momentin lidere me dy pikë më shumë sesa Real Madridi pas 27 xhirove të zhvilluara, do të shpallej kampione pasi që është e para në tabelë edhe nëse sezoni nuk mund të kompletohet.
Megjithatë, presidenti i Federatës spanjolle, Rubiales, e ka përjashtuar një skenar të tillë, pas takimit të djeshëm me autoritet kryesore në UEFA. Në atë takim u vendos që ligat vendore kanë afat kohor ta përfundojnë sezonin deri më 30 qershor. “Ne kemi qenë duke punuar me UEFA që një kohë të gjatë, përmes telefonit dhe video-konferencave. Ne i kemi dhënë disa propozime, që janë pranuar me kënaqësi. Ne tashmë e dimë se si është situata për garat evropiane, lokale dhe për EURO”, ka thënë Rubiales. “Garat duhet të përfundohen para 30 qershorit. Të gjitha skuadrat do të duhet t’i luajnë të gjitha ndeshjet. Këtë e kemi diskutuar në takimin me të gjitha 55 Federatat anëtare në UEFA dhe me Komitetin Ekzekutiv. Të gjithë votuam në favor të këtij propozimi”.
Rubiales tha më tutje se ai nuk mund të garantojë se La Liga do të përfundohet para 30 qershorit. Megjithatë, ai shtoi se do të ishte e padrejtë të përfundohet sezoni siç është tani, duke thënë se lideri aktual s’ka gjasa të shpallet kampion nëse sezoni nuk përfundohet. “Sezoni 19/20 duhet të përfundojë me të njëjtat rregullla dhe pa ndryshime, edhe pse situata është e jashtëzakonshme. Unë nuk mund të jap garanci që gara do të përfundojë para 30 qershorit. Është e padrejtë që gara të përfundojë me klasifikimin si ka mbetur tani”, shtoi Rubiales.