Në SHBA, votuesit në gjashtë shtete do të votojnë të martën në zgjedhjet paraprake të demokratëve.Në garë tani kanë mbetur vetëm dy kandidatë kryesorë: senatori i Vermontit, Bernie Sanders dhe ish Nënpresidenti Joe Biden. Senatori Sanders po përballet me një sfidë të fortë pasi ish Nënpresidenti Biden fitoi në 10 shtete javën e kaluar.

Joe Biden mblodhi mbështetësit e tij të shtunën në Mizuri, pas fitoreve që shënoi javën e kaluar, të cilat i dhanë atij epërsinë në garën e demokratëve. Të martën në Mizuri, Miçigan, Ajdaho, Misissipi, Dakotën e Veriut dhe Uashington do të mbahen zgjedhjet paraprake të demokratëve.Bernie Sanders bëri fushatë në Ilinoi, ku më 17 mars do të mbahen zgjedhjet paraprake të demokratëve.Rivalët e tjerë, përfshirë ish-kryebashkiakun e South Bendit, Pete Buttigieg, senatoren e Minesotës, Amy Klobuchar, dhe ish kryebashkiakun e Nju Jorkut dhe miliarderin Mike Bloomberg, janë tërhequr nga gara dhe kanë shprehur mbështetjen për ish Nënpresidentin Biden.

Të dielën, një ish-kandidate tjetër, senatorja e Kalifornisë, Kamala Harris, shprehu mbështetjen e saj për zotin Biden përmes një shkrimi në Twitter.“Unë kam vendosur me shumë entuziazëm, që të mbështes kandidaturën e Joe Bidenit për president të Shteteve të Bashkuara”.Kjo nuk është për t’u habitur, tha senatori Sanders për emisionin “This Week” të rrjetit ABC të dielën.“Ishte shumë e qartë nga njoftimet e mediave dhe ajo që dëshironin drejtuesit e partisë se ata donin që njerëzit të bashkoheshin rreth Bidenit dhe të përpiqeshin të më mposhtnin mua”.Zoti Biden tha se Sanders, i cili e quan veten një socialist demokrat, ka pikëpamje shumë ekstreme për të ndërtuar një koalicion fitues.

“Unë ju premtoj, ne do të bashkojmë amerikanë të çdo race, etnie, gjinie, statusi ekonomik, demokratë, republikanë dhe të pavarur, të çdo segmenti të shoqërisë.”Senatori Sanders tha se ai ka ngjallur entuziazëm në mesin e shtresës punëtore dhe votuesve të rinj.“Mendoj se ne do ta fitojmë këtë garë. Ne fituam në Kaliforni, Juta, Kolorado, dhe Vermont. Ne gjithashtu fituam votën popullore në tre shtete para super të martës. Dhe jam i entuziazmuar për garat në Miçigan, në shtetin e Uashingtonit, dhe në zona të tjera.”Udhëheqësi i të Drejtave Civile, Jesse Jackson shprehu të dielën mbështetje për kandidaturën e senatorit Sanders për President, që mund të ndihmojë zotin Sanders të zgjerojë mbështetjen në mesin e afrikano-amerikanëve, një grup i rëndësishëm votuesish, nga i cili Biden ka marrë mbështetje të rëndësishme.