Liberalizimi i vizave me Republikën e Kosovës një orë e më parë, jo vetëm për të siguruar lëvizjen e lirë të shtetasve të saj, por edhe për të konsoliduar besueshmërinë e BE-së në rajon, deklaroi ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj në mbledhjen e Ministrave të Jashtëm, në kuadër të Procesit të Berlinit në Shkup. Ai theksoi se në këtë takim shfrytëzuam rastin edhe njëherë të nënvizojmë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si shtytës i fuqishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian. “Ky proces ka pasur një ndikim të mirë në përmirësimin e marrëdhënieve mes gjashtë shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e një varg projektesh në shërbim të zhvillimit rajonal, duke filluar nga ndërlidhja ekonomike deri te nismat për pajtim ndëretnik”, tha Cakaj.

“Sidoqoftë, forcimi i Procesit të Berlinit duhet të zhvillohet në të njejtën kohë me forcimin e perspektivës evropiane për të gjithë rajonin. Ndaj, në shërbim të shtimit të lidhjeve mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, nënvizuam rëndësinë e lartë të dy vendimeve të shpejta:Liberalizimit të vizave me Republikën e Kosovës një orë e më parë, jo vetëm për të siguruar lëvizjen e lirë të shtetasve të saj, por edhe për të konsoliduar besueshmërinë e BE-së në rajon; Çeljen e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si masë e natyrshme pas përparimit të tyre në rrugën europiane e si investim strategjik në Ballkanin Perëndimor në përgjithësi”, tha Cakaj. “Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj konstruktive në rajon e në shërbim të integrimit europian”, shtoi Cakaj.