Presidenti Ilir Meta, kreu i PD Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi kanë reaguar pas vendimit të ministrave të BE për t’i dhënë “OK” hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Mesazhi i Metës:
Përshëndes vendimin e sotëm politik të Këshillit të Ministrave të BE që konfirmoi qartë perspektivën europiane të Shqipërisë duke miratuar çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE.
Falenderoj të gjitha shtetet anëtare për këtë vendim inkurajues, që gjeti vend në axhendën europiane, pavarësisht momenteve shumë të vështira që po kalojmë çdo njëri prej nesh!
Asnjë minutë nuk duhet humbur për të zbatuar sa më parë secilin prej kushteve që i paraprijnë konferencës ndërqeveritare për nisjen e negocimit të kapitujve!
Mesazhi i Bashës:
Vendet anëtare të BE-së dëshmuan sot se e mbështesin Shqipërinë dhe shqiptarët me shprehjen e vullnetit për të hapur negociatat. Tani gjithçka është në dorën tonë për të përmbushur të gjithë kushtet e vendosura për nisjen e tyre.
Mesazhi i Kryemadhit
Çelja e negociatave në parim është një lajm shprese për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Tashmë puna duhet të vazhdojë me plotësimin e kushteve, paralelisht me punën për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë në këto kohë të vështira.