Chelsea ia ka lënë në dispozicion hotelin Millenium në stadiumin Stamford Bridge stafit të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Britanisë së Madhe, në mënyrë që stafi mjekësor të mundë të akomodohet aty teksa punojnë orë të gjata për ta luftuar betejën kundër koronavirusit.
Të Kaltrtit e Londrës e morën këtë iniciativë pas një takimi mes pronarit Roman Abramovich dhe drejtorit ekzekutiv Bruce Buck, ndërsa së shpejti pritet të merren vesh me me Shërbimin Shëndetësor Kombëtar për detajet, transmeton Gazeta Express.
Kostot e akomodimit të mjekëve në hotel do të mbulohen nga Abrahomich, i cili ka qenë pronar i Chelseat që nga viti 2003. “Shumë prej stafit mjekësor do të jenë duke punuar orare të gjata dhe mund të mos kenë mundësi të udhëtojnë në shtëpi ose do të duhej të udhëtonin për kohë të gjatë për t’u kthyer në shtëpitë e tyre”, thuhet në deklaratën e Chelseat. “Akomodimi lokal ndihmon në shëndetin dhe mirëqenien e këtij personali shumë të rëndësishëm në këtë kohë kritike”.
“Kjo do të vazhdojë për një periudhë dymujore dhe pastaj do të rishqyrtohet në bazë të rrethanave që do të jenë në ato momente”.
“Stafi i Shërbimit Shëndetësor Kombëtar që do ta akomodohet në hotel do të jetë duke punuar në spitale në regjionin veri-perëndimor të Londrës, por mund të zgjerohet edhe për spitalet në distriktet tjera”. “Numri i dhomave do të varet nga kërkesa, por potencialisht të gjitha dhomat, gjithsej 231, në Millenium Hotel janë në dispozicion për stafin mjekësor, mirëpo askush që ka simptoma të Covid-19 s’do të lejohet në hotel”.