“Coronavirus” padyshim se po ndikon, gjithashtu, seriozisht në futboll. Klubet në Europë po kërkojnë marrëveshje me lojtarët për të ulur një pjesë të pagave, në kushtet e kësaj emergjence globale, që i ka mbyllur të gjithë në shtëpi. Kështu, presidenti i ECA dëshironte të fliste personalisht për kërcënimin që paraqet pandemia. Kjo është letra e dërguar nga Andrea Agnelli për të gjitha klubet, që janë anëtare të Shoqatës Europiane të Klubeve (ECA):”Ne jemi të gjithë përgjegjës për mirëqenien dhe qëndrueshmërinë e klubeve që menaxhojmë dhe që përballen me një kërcënim të vërtetë ekzistencial. Që nga momenti kur futbolli është ndalur, kështu janë edhe rrjedhat tona të të ardhurave, nga të cilat varemi në pagesat e lojtarëve tanë, të stafit dhe kostot e tjera të funksionimit. Askush nuk është imun dhe koha është thelbësore. Mbarimi i shqetësimeve do të jetë sfida më e madhe për lojën tonë dhe sistemin e futbollit, me të cilën jemi përballur ndonjëherë”.

Presidenti i Juventusit, megjithatë, prek më hollësisht temën e vështirësisë ekonomike për klubet. Duke shikuar ndryshime të mundshme në llogaritë financiare, gjithashtu: “ECA po heton mënyrat për të ndihmuar në menaxhimin e financave të klubeve në këtë periudhë të krizës sociale dhe ekonomike. UEFA po studion gjithashtu një model të ri të mundshëm kalendarik. Diskutimet janë shumë aktive se si duhet të jetë qasja e UEFA-s dhe korniza e “Fair Play Financial” në dritën e krizës aktuale”.

Shkurt, ECA po përpiqet të bëjë gjithçka që është e mundur për të mbajtur gjallë klubet, të cilat rrezikojnë falimentimin nga “Coronavirus”.