Afrika Jugore ka raportuar vdekjet e para të lidhura me koronavirus, teksa numri i rasteve të prekura me këtë sëmundje ka kaluar shifrën 1,000.
“Këtë mëngjes, ne banorët e Afrikës Jugore jemi zgjuar me lajmin e trishtë se kemi vdekjet e para si rezultat i COVID-19”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë të premten.
Të dyja vdekjet është thënë të kenë ndodhur në provincën jugore, Kepi Perëndimor.
Forcat e sigurisë kanë nisur të zbatojnë masat e izolimit, të cilat do të aplikohen për tri javë, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e virusit.
Aktualisht janë ndalur të gjitha lëvizjet jo të domosdoshme, ndërkohë që policia është duke u kujdesuar për zbatimin e masave.
Autoritetet kanë paralajmëruar se secili që shkel rregullat e kufizimit, mund të përballet me burgim gjashtëmujor, apo gjoba të ashpra.
“Nëse njerëzit nuk janë duke vepruar në përputhje me rregullat, ushtria mund të detyrohet të marrë masa të jashtëzakonshme”,ka thënë ministri i Mbrojtjes, Nosiviwe Mapisa-Nqakula.