Rreth 500 ushtarakë shqiptarë dhe familjarë të tyre, por edhe studentë që studiojnë në akademitë ushtarake në vendet e NATO-s, gëzojnë shëndet të plotë dhe vijojnë shërbimin e tyre në misionet e Aleancës apo përfaqësitë tona diplomatike.
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe shefi i SHPFA, gjeneralbrigade Bardhyl Kollcaku, përmes një videokonference me përfaqësuesit më të lartë ushtarakë shqiptarë në strukturat dhe misionet e Aleancës apo atashetë ushtarakë në vendet e prekura më rëndë nga COVID-19 u interesuan për shëndetin e tyre dhe të familjeve.
Fatmirësisht asnjë prej ushtarakëve shqiptarë që shërbejnë jashtë vendit nuk ka simptoma të lidhura me COVID-19. Zonja Xhaçka i kërkoi ushtarakëve tanë të tregojnë kujdes me masat kundër virusit dhe i siguroi se do të jenë në kujdesin e vazhdueshëm të shtetit shqiptar.
Ministrja u informua se kontingjentet shqiptare vijojnë shërbimin duke respektuar masat e reja kundër përhapjes së COVID-19, ndërkohë që 5 prej studentëve që studiojnë në akademitë ushtarake italiane janë kthyer në vendin tonë pas mbylljes së akademive nga qeveria italiane dhe aktualisht janë në vetëkarantinë në shtëpitë e tyre, pa asnjë simptomë. Studentët shqiptarë ashtu si edhe kolegët e tyre të huaj vijojnë ndjekjen e studimeve online.
Gjithë ushtarakët shqiptarë që shërbejnë jashtë vendit, por edhe familjet e tyre, kryejnë kontrolle mjekësore periodike, ndërkohë që janë në komunikim të vazhdueshëm edhe me Shtabin e Përgjithshëm dhe Ministrinë e Mbrojtjes për çdo nevojë.