Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi u kërkoi sot të gjithë operatorëve të biznesit ushqimor të zbatojnë masat e ndërmarra nga qeveria për të frenuar përhapjen e COVID-19.
“Në bazë të urdhërit të ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për mbylljen apo kufizimin e lëvizjeve në Republikën e Shqipërisë, pikat e shitjes së produkteve ushqimore, me pakicë dhe shumicë, lejohen të kryejnë aktivitetin e tyre vetëm në fashën orare 05:00-13:00, duke filluar nga dita e hënë”, u shpreh Çuçi.
Sipas ministrit, jemi në një gjendje luftë me një armik të padukshëm, por shumë të rrezikshëm e të pamëshirshëm, të cilin do duhet ta mposhtim së bashku duke qëndruar veçmas, secili në banesën e vet.
“Na kërkohet vetëm të qëndrojnë në shtëpi, të kufizojmë kontaktet dhe lëvizjet, si dhe të ndjekim këshillat e mjekëve. Është një sakrificë e madhe që kërkon durim të hekurt, por nuk kemi rrugë tjetër”, ishte mesazhi që përcolli ministry Çuçi.