Sot në media u bë i njohur fakti që deputeti Adriatik Alimadhi dhe bashkëshortja e tij janë prekur nga koronavirusi. Po sot, media të ndryshme kanë nxjerrë dhe pamje filmike të deputetit, vetëm pak ditë më parë, teksa thyente rregullat e izolimit dhe i bënte madje karshillëk një policeje, e cila me mirësjellje i kërkonte që të zbatonte rregullat e autoriteteve për distancimin social.
Pa kaluar disa ditë, përmes një postimi në Facebook, Alimadhi ka njoftuar ndjekësit e tij se ai ka rezultuar pozitiv pas testeve, ndërkohë që ka patur ankesa ndaj Qeverisë, që sipas tij nuk është interesuar aspak dhe se “paracetamolët unë dhe bashkëshortja ia japim vetë njëri-tjetrit”.

Pasditen e sotme, deputeti është shtruar në Spitalin Infektiv. Me të vënë këmbë në pavijon, sipas burimeve nga spitali, gjëja e parë që ka kërkuar deputeti, është që të nxjerrë jashtë prej dhome pacientë të tjerë, duke kërkuar kushte të privilegjuara për veten e tij. Po këto burime, bëjnë me dije se deputeti ka patur një sjellje arrogante, e ngjashme me sjelljen shpërfillëse ndaj polices që pak ditë më parë i kërkonte të zbatonte karantinën.

Stafet, ndonëse prej ditësh po punojnë në kushte të jashtëzakonshme në shërbim të qytetarëve, tani duhet që të përballen edhe me tekat e deputetit Adriatik Alimadhi, i cili me sa duket ka ngatërruar Spitalin Infektiv ku trajtohen pacientët me Covid-19, me një hotel ku klienti është i lirë të bëjë presion tek recepsioni për komshinjtë e dhomës.