Nga Skënder Minxhozi/
Kryetari i bashkisë së Bergamos Giorgio Gori, deklaronte të hënën në darkë në televizionet italiane, se 800 biznese të vogla, lokale, kafene, restorante e shërbime të tjera, kishin paraqitur pranë tij vendimin për të ulur vullnetarisht qepenat, derisa të kalojë epidemia e koronavirusit. Ai deklaronte se kjo masë i shkon për shtat situatës që kalon Italia e sotme, por edhe parandalimit të kontakteve njerëzore, aq të rrezikshme në momentin kur një virus i ri dhe i panjohur qarkullon lirshëm në qendrat urbane të të gjithë Evropës.
Njoftimi i kreut të bashkisë së Bergamos natyrshëm pasqyron emergjencën e skajshme që po kalon sot fqinji ynë perëndimor, me mijëra të prekur nga virusi dhe raste që shtohen çdo me një ritëm të frikshëm, ashtu siç shtohen edhe vdekjet. Pas Kinës, Italia është sot fronti më i vështirë në luftën kundër koronavirus.
Pas habisë për mungesën e rasteve, tashmë edhe tek ne Covid 19 ka shënuar rastet e para. Dhjetë persona të zbuluar me infeksion brenda pak orësh, nuk lenë të qetë askënd që ka fëmijë e pleq në shtëpi. Në zallamahinë e përbotshme që ka shkaktuar kjo epidemi, as ne shqiptarët nuk mund të konsiderohemi të përjashtuar dhe as të flemë të qetë se kemi qenë të vaksinuar nga malarja, apo se hamë hudhra e pimë raki!
Ky koncept folklorik që kemi për këtë sëmundje, që ekspertë e mjekë nga e gjithë bota po e konsiderojnë si më të rëndën pas gripit spanjoll, po bën që shoqëria shqiptare të reagojë vakët dhe disi me indiferencë ndaj lajmeve që i rrethojnë. Vendimet e fundit të qeverisë shqiptare nuk duhen diskutuar, duhen thjesht zbatuar. Nëse Italia ka mbyllur brenda 60 milion banorë dhe ka shkretuar qytetet e fshatrat nga njerëzit, makinat dhe çdo gbrumbullim i çdo natyre, ndoshta duhet që edhe ne t’i thërrasim mendjes sa nuk është vonë. Sepse edhe Italia e nisi disi me indiferencë reagimin ndaj Covid 19, me baret e lokalet hapur, me njerëz që shkonin për ski apo mbushin diskotekat. Ja përfundimi!
24 orë pas shpalljes së emergjencës koronavirus, rrugët, baret e lokalet e Tiranës vijojnë të jenë plot me njerëz. Keshtu ndodh në çdo cep të Shqipërisë, ku kultura e kafesë, qëndrimit bashkë dhe për të vrarë kohën, e ngulitur thellë në indin tonë social, duket se po shtyn drejt një qasjeje të papërgjegjshme, që mund të ketë pasoja shumë të rënda në ditët që do të vijnë. Shprehej me të drejtë zv.ministrja e shëndetësisë Rakacolli, kur kërkonte “të kufizojmë transportin publik, të evitojmë ndenjen ne ambiente të grumbulluara. Shmangni daljet e panevojshme nga shtëpia. Shmangni ambientet ku mund të rrihet shumë ngushtë. I kemi të gjitha strukturat për ta përballuar. Ka panik të madh, dhe nuk është sjellja në përputhje me këtë panik. Nëpër kafene mblidhemi ulemi afër me njëri-tjetrin”.
Larg çdo paniku, Covid 19 po paraqitet si një virus i vështirë dhe sfidues, për shkak të natyrës së panjohur, mungesës së mjekimeve dhe ngjitshmërisë së lartë. Emergjenca koronavirus është e vërtetë, jo farsë. Sepse është e pamundur që shtetet më të mëdha të botës të djegin miliarda, të izolojnë miliona banorë dhe të dëmtojnë të ardhmen e tyre, për një sajesë. Sot italianët janë penduar për sjelljen e tyre të dy javëve të fundit. Të shpresojmë që nuk do të ndjehemi keq edhe ne në muajin prill, teksa po sillemi sikur s’ka ndodhur asgjë!