Balerini dhe koreografi i njohur, Kledi Kadiu, tha në në lidhje me “Skype” nga Italia për emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, në News24, se situata atje është alarmante dhe i ka frikësuar pa masë.
Referuar shifrave të frikshme të viktimave, numri i të cilëve vetëm 24 orët e fundit është 792, Kadiu tha se shqiptarët duhet t’i zbatojnë me patjetër masat e marra, pasi do t’i bien kokës me grushte, po të shohin pasojat e koronavirusit.
Ai tregoi se masat në Itali janë shumë të rrepta dhe nëse i shkel është njëlloj sikur të kesh bërë vrasje, të mbetet njollë përjetë.
“Është e paimagjinueshme, tani na ka kapur me të vërtetë shumë frika, me rreth 800 viktima. Kjo është një gjendje që po bëhet gjithnjë e më keq. Është dita e 13 që ne jemi izoluar nëpër shtëpi, që më 8 mars. Bëjeni llogarinë, se e kemi humbur edhe idenë e ditëve. Sapo na komunikuan dje në darkë që Rimini dhe shumë zona të afërme, që sot bëhen zonë të kuqe, pra që nuk mund të dalim fare, fare, në rrugë.
Farmacitë, supermarketet, janë të hapura, por ke të drejtë të shkosh vetëm një herë në javë. Nëse vërtetohet se ke dalë dy herë, merr jo vetëm një gjobë të madhe, por denoncohesh edhe penalisht. Shqipëria bëri jashtëzakonisht mirë me rregulla të rrepta. Le të ankohen qytetarët, se kur të shohin si është gjendja, do t’i bien kokës me grushte. Ata duhet të thonë faleminderit që janë në shtëpi, se do të bëhet një tmerr i paparë. Nëse këtu në Itali shkel rregullat, është njëlloj sikur bën një vrasje, të mbetet njollë përjetë, pra do të quhet akt kriminal. Shqiptarët do ta paguajnë rëndë, nëse vazhdojnë të dalin jashtë”, tha Kadiu.