Nga Shon Tomson (Xhon Toma)*

Shumë njerëz kanë krijuar një ide të gabuar për kuzhinën e lindjes, sikur për shkak të vafërisë aty hahet çdo gjë. Në fakt, e kundërta është e vërtetë.

Tregjet e Kinës nuk furnizohen me mishin e kafshëve të egra për të ushqyer popullin, aq sa për të kënaqur oreksin e shtresës së mesme, që numëron diku te 400 milion njerëz. Edhe pse preferencat e të gjithëve nuk janë njësoj, është e qartë që janë pikërisht këta blerës të kamur që janë adhurues të ushqimeve ekzotike.

Duke harruar që njeriu duhet të hajë për të jetuar e jo të jetojë për të ngrënë, këta ecin me filozofinë që goja duhet t’i provojë të gjitha! E kanë bërë barkun e tyre perëndi, e kështu vunë dorë pikërisht mbi ato kafshë të egra që janë mbartëse të sëmundjeve siç është SARS-i dhe SARS-i 2 (koronavirusi i ri).

Ekzistojnë prova mjaft bindëse (duhet të kontrolloni literaturën shkencore e jo faqet sociale), që ashtu sikurse SARS-i i parë e ka origjinën te lakuriqët e natës, prej andej erdhi edhe SARS-i i dytë.

Dyshimet shkencore janë që duhet të ketë pasur ndonjë kafshë transmetuese midis lakuriqit dhe njeriut dhe gjurmët më të dukshme na çojnë te tregu i gjësë së gjallë në Wuhan…

Ndoshta ju duket gabim t’i tregojmë me gisht ata që kanë rrezikur shëndetin e miliona njerëzve për të kënaqur oreksin. Mua jo. Por ama, të mos harrojmë që këta s’janë të vetmit njerëz në botë që i shkaktojnë telashe të tjerëve, vetëm e vetëm për të kënaqur shijen personale.

Filozofia “kështu më pëlqen” alla shqiptarçe të viteve ‘90 vazhdon t’i sjellë shoqërisë dëme të mëdha. Prandaj, si i përgjigjesh ti pyetjes: A ke shkelur mbi kurrizin e të tjerëve për të plotësuar dëshirat e tua personale?

Dhe mos e ke kthyer edhe ti kënaqësinë tënde personale në idhull? Sepse kur fillojmë t’i vëmë emrin mëkatit siç e meriton, le të mos harrojmë mëkatin tonë.

Jezusi tha, “Sepse me çfarë gjykimi të gjykoni, me atë do të gjykoheni! E me atë masë që matni, me atë edhe juve do t’ju matet. Pse e shikon lëmishten në sy të vëllait tënd, kurse nuk e sheh traun në syrin tënd”?

*Perfaqesues i kishes angleze, qe prej 28 vitesh jeton ne Shqiperi