Ndërsa koronavirusi përparon me shpejtësi në vendet e Europës dhe përtej saj, një numër gjithnjë e më i madh kompanish i bashkohen garës për medikamente që e kurojnë, ndërsa vijojnë përpjekjet për zbulimin e një vaksine. Por nëse për vaksinën duhet shumë kohë, gjetja e një ilaçi kurues mund të shpëtojë jetë.
Në spitalin universitar të Ghent-it, Instituti Flamand i Bioteknologjisë ka nisur provat klinike të ilaçit Leukine.
Ndërkohë që mjekët janë përqendruar në trajtimin e personave që e kanë këtë sëmundje, e cila sillet ndryshe nga një pacient në tjetrin, ata kanë vënë re se pacientët që përfundojnë në kujdes intensiv, kanë të njëjtat komplikacione: mosfunksionim i veshkave, bllokimi i mëlçisë, problemet me gjakun dhe frymëmarrjen. Ata shpesh kanë ethe për një kohë shumë të gjatë, shumë më të gjatë sesa ç’ndodh zakonisht, çka nuk është tipike për një infeksion normal të mushkërive.
Prioriteti për ata pacientë është trajtimi i tyre në çfarëdo mënyre të mundshme përpara se këto komplikime të bëhen fatale. Mjekët u drejtohen mjekimeve ekzistuese, si klorokuina anti-malariale, nga njëra anë, e cila u testua në mostrat laboratorike të virusit SARS – (një infeksion i familjes së koronavirusit) – në 2003-2004 me rezultate premtuese dhe Leukina.
Leukina vepron te qelizat e mushkërive të quajtura makrofaget alveolare, të cilat sulmohen nga infeksioni Covid-19.
Ilaçi po testohet te pacientët e spitalit universitar të Gentit në Belgjikë dhe më pas do të testohet edhe në spitalin e Bruzhit. Interes për t’iu bashkuar këtij kërkimi janë shprehur edhe ekipe nga Gjermania dhe Italia.
Në të njëjtën kohë, një kompani farmaceutike greke ka nisur prodhimin e një ilaçi me bazë klorokinën, e cila është po shihet si një trajtim potencialisht i suksesshëm për pacientët me Covid-19. Me t’u prodhuar, ky ilaç do t’u jepet falas spitaleve të Greqisë.
Prodhimi është marrë përsipër nga Uni-Pharma, e cila ka njoftuar se ilaçi i ri Unikinon do të prodhohet në 24 milionë doza, që do t’i jepen falas shtetit grek dhe më pas regjimi i trajtimit të pacientëve me të do të vendoset në bazë të sugjerimeve të komunitetit shkencor.
Uni-Pharma ka saktësuar se e ka marrë licencën për ta prodhuar këtë ilaç në Greqi, për herë të parë në vitin 1984.
Klorokina përdoret për trajtimin e malarjes, një sëmundje shpesh vdekjeprurëse që përhapet nga mushkonjat.