Nisja drejt Italisë, një nga vendet më të prekura në botë nga pandemia e koronavirusit, e 30 mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, ka tërhequr sërish sot vëmendjen e medias ndërkombëtare dhe të figurave të njohura të politikës dhe gazetarisë:

Federica Mogherini – ish-shefja e diplomacisë e BE-së

Feleminderit Edi Rama dhe Shqipërisë. Për ndihmën dhe për leksionin e solidaritetit. Shpresoj që të tjerët ta dëgjojnë dhe që italianët ta mbajnë mend.

Pierpaolo Sileri – Zëvendësministri italian i Shëndetësisë

Me ministrin e Jashtëm Di Maio, mikpritëm ministrin e Jashtëm shqiptar, Gent Cakaj dhe 30 punonjës shëndetësorë nga Shqipëria. Vërtet bukur për të parë që ata po vijnë. Emocionuese kur, mes tyre, njoha dy studentë të mi shqiptarë. Faleminderit Shqipërisë për këtë ndihmë të çmuar!

Andrea Chittaro – Zëvendëspresident i Sigurisë dhe Mbrojtjes Kibernetike

”Ky është kryeministri shqiptar, Edi Rama i rrethuar nga 30 mjekë dhe infermierë që do të ndihmojnë personelin shëndetësor italian. Bën një lloj efekti të dëgjosh fjalët e tij, lider i një vendi të vogël me pak burime dhe shumë probleme”.

Andrea Babbi – Akademik

”Kryeministri Rama u jep një leksion human dhe institucional Merkelit. Europa e rithemeluar dje, vdiq”.

Sandro Ruotolo – gazetar

”Ne i ndihmuam 30 vite më parë, dhe sot Shqipëria dërgon mjekë dhe infermierë në Itali. ”Ne nuk jemi të pasur dhe aq më pak të privuar nga kujtesa”, thotë kryeministri Rama. Së bashku do t’ia dalim.

TgCom24.it

Me titullin ”Emergjenca koronavirus, Shqipëria nis 30 mjekë në Itali: ”Nuk e lëmë vetëm një mik në nevojë”, TgCom24.it shkruan se kryeministri Rama deklaroi se ”ne nuk jemi të pasur dhe aq më pak të privuar nga kujtesa dhe nuk mund të lejojmë të mos i tregojmë Italisë se shqiptarët dhe Shqipëria nuk e braktisin kurrë mikun e tyre në vështirësi”.

Me këto fjalë kryeministri shqiptar Edi Rama shoqëroi largimin e ekipit prej 30 mjekësh dhe infermierësh për në Itali, shkruan TgCom24.it.

”Dua të falënderoj publikisht kryeministrin shqiptar Edi Rama, tërë qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar për solidaritetin e madh që po na tregojnë. Para se këta njerëz të hipnin në fluturimin që shihni pas meje, për të mbërritur këtu në Itali, Rama tha se edhe Shqipëria po përballet gjithashtu me urgjencën e koronavirusit, por ata nuk mund t’i mbajnë rezervat e tyre, kur miqtë e tyre italianë tashmë kanë mbaruar gjithçka që kishin”, citohet ministri i Jashtëm italian, Luigi di Maio./Atsh