Nga Mero Baze/
Një video e cila u bë virale në rrjet tregonte banorë të një rruge në Napoli që kishin dalë të gjithë në ballkone, duke kënduar në kor një nga këngët më të famshme të Italisë, me një emocion që të bën të kuptosh, se ata qytetarë i kanë sytë nga jeta.Të njëjtën gjë e bënë dhjetra qytete të Italisë. Disa duke demonstruar simbolet e Italisë, disa duke kënduar në kor, të tjerë duke duartrokitur secili në ballkon të vet.
I vetmi opozitar i ashpër i Italisë, Salvini, të vetmin merak që ka është të mbyllë kufijtë me vendet e Shengenit. Atë merak e ka pasur dhe kur nuk kishte koronavirus. Por nuk është përzier në masat e sistemit shëndetësor, apo protokollet e tyre edhe pse Italia është në qendër të sulmeve për strategjinë që ka ndjekur.Përballë tyre është Shqipëria, një vend me 36 persona të identifikuar si të prekur dhe 3 milionë e 600 mijë të tjerë që jetojnë thuajse nën terror të medias dhe opinionistëve opozitarë që u tregojnë orë e minutë se si qeveria po i vd es.
Opozita nxit mjekët të kalojnë në karantinë ndërsa disa moderatorë të ekraneve janë kthyer në tutorë të Urgjencës Kombëtare.Dhe këtu nuk kam më vërejtje për opozitën. As për gazetarët e papërgjegjshëm. Por për disa zyrtarë të lartë të sistemit shëndetësor, që në fakt janë kthyer në shërbëtorë të tyre.Dy netë më parë, në një situatë tërësisht të papërgjegjshme, emisioni “Open” u kthye në një “Big Brother”, të inskenuar, ku një tip me motor ndalon gazetaren e tyre si rastësisht në bllok, i tregon se si një shok i tij ka telefonuar disa here urgjencën dhe dhjetra herë policinë, dhe s’ka marrë përgjigje. Pastaj gazetarja simbol e papërgjegjësisë publike, merr drejtonin e Urgjencës. Ai merr ambulancën. Pastaj të dy bashkë dhe të tjerët marrin të “sëmurin”, e çojnë në urgjencë.
Në fund del që s’ka asgjë.
Ky spektakël i kushton shumë Shqipërisë. I kushton jo vetëm rritjen e një pritshmërie të papërgjegjshme nga sistemi ynë shëndetësor edhe ashtu i dobët, por mbi të gjitha panikun se këtu nëse sëmuresh, nëse të dhëmb koka apo ke temperaturë, duhet të takosh Eni Vasilin të thërrasë Skënder Bratajn dhe ai të të sjellë ambulancën. Tani nuk duhet t’i bini më numrit 127 por telefonit të Enit, Fevziut, Zhejit, apo ndonjë tjetri që t’ju sjellë ambulancë edhe pse mund t’iu dhembë dhëmballa.
Në vendin përballë nesh, që është fuqia e shtatë në botë me një sistem shëndetësor tejet të konsoliduar nga më të mirët në botë, qytetarët dhe shtypi i bëjnë jehonë këngëve, duartrokitjeve, solidaritetit dhe protokollit shëndetësor.Në Shqipëri, shtypi, opozita dhe gjithë “pishtarët e panikut”, i bëjnë jehonë disa pordhacëve që shëtisin me motoçikleta në “Bllok” dhe kërkojnë që ambulanca të jetë gati për ta, kur u dhemb koka.Sot pasdite për herë të parë Top Channel bëri një thirrje njerëzore për të përshëndetur mjekët, infermierët dhe policët që po mbajnë në këmbë shoqërinë në këto ditë lufte. Dhe duket se shoqëria mezi e priti këtë sinjal.Natyrisht që shumë VIP-a nga ata që përhapin panikun, nuk i bashkohen dot kësaj thirrjeje se ata jetojnë në vila dhe janë larg njëri- tjetrit. Edhe Berisha ka ikur në Lalëz tek vila e vet të ndjehet më i sigurt. Aty nuk dëgjohen duartrokitjet.Por në mbrëmje dëgjohet paniku i tij. Dëgjohet kuja që vënë për të futur shoqërinë nën terrorin e një epidemie, që bota po përpiqet ta mposhtë, jo me spitale e me urgjenca se nuk ja del dot, por me disiplinë, këngë, solidaritet dhe ndjenjë rezistence kolektive.Krahasoni skenën e rrugës së famshme në Napoli, ku qindra banorë këndojnë në ballkone dhe sytë e zmadhuar të Enit, nga dëshira për t’i vërsulur qytetarët kundër urgjencës kombëtare për të kuptuar se nga se vuajmë vërtet. Dhe nuk ka faj as zonja En, as Fevziu, as Zheji, as ndonjë koleg tjetër që kërkon të bëjë protagonistin e panikut në Shqipëri. Faji është i çdo zyrtari të sistemit shëndetësor që bëhet shërbëtor i tyre. Mbylluni telefonin dhe jepuni numurin e klinikës Nr. 5 Ndoshta ajo u bën më mirë se “127”-ta.