Në studion e emisionit “Shqipëria Live”, drejtuar nga dyshja e moderatorëve Florian Gjini dhe Erjona Rusi, ishte e ftuar me anë të një lidhjeje në “Skype”, anestezistja Alma Neco.
Për të gjithë ata që se njohin, Alma, është pjesë e ekipit prej 30 pjesëtarëve të personelit mjekësor, të vendit tonë, që u drejtua drejt Italisë, për t’i ardhur në ndihmë vendit fqinj, në këtë situatë kaotike që po kalon si pasojë e virusit korona.
Alma, u shpreh se nuk ka frikë, pasi që kur ka vendosur që të trajnohet për këtë profesion, rrezikun e ka marrë përsipër. E pyetur për arsyen se përse iku në Itali, anastezistja u shpreh se e ndiente si një detyrim pasi ajo kishte lindur në këtë vend dhe prej vitesh ka jetuar atje.
Edhe pse ajo është caktuar në një spital në Brescia, e cila regjistron numrin më të madh të të infektuarve dhe viktimave, në rajonin e Lombardisë, Alma thotë se nuk ka frikë dhe mezi po pret që të nisë nga puna.
“Të gjithë kemi një lidhje me Italinë. Unë në Itali kam lindur dhe jam rritur dhe e ndjeja si një detyrim. Rreziku ekziston por ne e kemi marrë përsipër rrezikun që në momentin që kemi marrë përsipër këtë profesion. Edhe në Shqipëri kishte rrezik, kështu që nuk ndryshon ndonjë gjë në këtë aspekt. Prindërit më kanë mbështëtur maksimalisht. Më kanë caktuar në Brescia, në spitalin me më të prekurit në Lombardi dhe me më të infektuarit në Itali. Përsëri kjo nuk është ndonjë ndryshim, pasi ne anastezistët jemi mësuar me vrull. Madje mezi po pres që të fillojmë”, u shpreh Alma./ tch/