Edhe pse Italia ka shënuar 812 vdekje në 24 orët e fundit, numri i infektimeve të reja ka ardhur duke u përgjysmuar. Ky lajm i mirë është përkthyer nga mediat e vendit fqinj si një dritë shprese për t’u çliruar nga koronavirusi. Në disa projeksione, italianët kanë përllogaritur datat për secilin rajon, se kur mund të shënohen zero infektime.

Përveç pozitivitetit për Italinë, kjo jep padyshim shpresë edhe për rastin e Shqipërisë e cila jo vetëm fqinje gjeografikisht, por ka edhe marrëdhënie të përditshme sociale dhe ekonomike. Pa përmendur edhe ngjashmëritë që me nisjen e pandemisë.

Kështu, duke marrë parasysh trendin e ulët të infektimeve të shënuara, mendohet se në Abruzzo më datë 11 prill nuk do të raportohet asnjë infektim i ri.

Në Basilicata është llogaritur 7 prilli, ndërsa në Kalabri mendohet që në 17 prill nuk do të ketë më asnjë infektim të ri.

Duke vijuar me projeksionin, mediat thonë se në Campania do të jetë 20 prilli, në Emilia Romagna 28 prilli, ndërsa për Friuli-Venezia Giulia më 10 prill nuk do të ketë asnjë infektim të ri.

Sa i përket Lazios, mendohet se 16 prilli do të jetë dita me zero infektime. Në Liguria 7 prilli, ndërsa në Lombardinë që ngjan me Ferrin, data me zero infektime mendohet të jetë 22 prilli.

Për Piemonten lajmi i mirë do të vijë në 15 prill, ndërsa Puglia është shumë pranë ditës pa infektime të reja. Për rajonin në fjalë raportohet se data e mundshme pa raste të reja me koronavirus do të jetë 9 Prilli.

Sipas mediave, në Sicili pritet që 14 prilli të mos shënojë infektime të reja. Dëshpëruese mbetet Toscana, e cila mendohet që rastin e fundit ta ketë deri në 5 maj.

Trentino – Alto Adige thuhet se në 6 prill nuk do të ketë më asnjë rast të ri, ndërsa Umbria nuk do të ketë më infektime në datën 7 prill.

Parashikimet thonë se në Valle d’Aosta 8 prilli nuk do të ketë asnjë infektim. Ndërkohë që për Veneton kjo ditë është parashikuar për 14 prill. /JavaNews/a.r