Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla iu është bashkuar reagimeve në distancë sa i takon situatës së krijuar pasi vendi ynë u prek nga koronavirusi. Përmes një postimi në Facebook Balla ka shigjetuar opozitën, ndërsa thekson se në vend ka nisur një fushatë histerike e një tufe politikanësh të paskrupullt.“Me rritjen një nga një të të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, si askund tjetër në më shumë se 100 vende në botë, ka nisur një fushatë histerike e një tufe politikanësh të paskrupullt.

Njëlloj si pas tërmetit të 26 Nëntorit, edhe këto 48 orë të para pas shfaqjes së rasteve të para me koronavirus, Shqipëria duhet të durojë edhe kujën paskrupullt të hienave, që duan të ngjallin mosbesim, zi dhe humbje shprese.Politikanë të pashpresë, ushtarë të dëshpëruar të së keqes, të gatshëm të përdorin edhe një epidemi botërore si koronavirusi, për të shpërndarë panik, nxitur ankth, kërkuar rremujë, apo demoralizuar mjekët dhe infermieret”, shkruan Balla.

Sipas Ballës, “48 orët e fundit janë një shpërthim histerie me në krye të së cilës shfaqet si gjithmonë Sali Berisha, cili ka shtuar numrin e postimeve të rreme. Me paturpësinë malinje që e karakterizon ai poston video nga Irani, se gjoja ato pamje janë në Tiranë. Pas Saliut vjen natyrshëm dështaku epokal Lulzim Basha, me lloj-lloj përpjekje, që synojnë të demoralizojnë ekipet e mjekëve dhe infermiereve si dhe të rrisë sa më shumë panikun”.

Më tej ai shton se, “Në asnjë vend në botë nuk ndodh kjo. Në Itali Kryetari i Partisë Demokratike u prek vetë nga Koronavirusi dhe nuk mallkoi askënd, thjeshtë u tërhoq për t’iu vënë në dizpozicion karantinimit dhe mjekëve. Megjithatë shqiptarët i njohin këta politikanë të pashpresë.Qeveria shqiptare dhe shërbimi ynë shëndetësor në bashkëpunim më OBSH do t’ia dalin ta përballojnë këtë situatë. Të gjithë duhet thjeshtë të ndjekim udhëzimet e specialistëve dhe të Qeverisë”.