Në një fjalim televiziv drejtuar kombit, kancelarja Angela Merkel u drejton apel të fuqishëm qytetarëve në Gjermani që të evitojnë kontaktet sociale, për të kufizuar epideminë e virusit Corona.
Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, iu drejtua përmes një fjalimi televiziv qytetareve dhe qytetarëve të Gjermanisë me apelin të respektojnë masat për parandalimin e përhapjes së epidemisë.
Merkel e quajti luftimin e virusit të ri Corona si një detyrë me përmasa historike. Ajo i bëri thirrje arsyes së qytetarëve që të jenë të disiplinuar. “Gjendja është serioze”, tha Merkel.
Ajo tha, se e di sa e vështirë është të mbyllësh hapësirat e aktiviteteve, shkollat, kopshtet e fëmijëve dhe sheshet e lojërave. “Janë kufizime, si nuk ka pasur asnjëherë tjetër në Republikën Federale.” Megjithatë duhet të ndiqen rregulloret, theksoi Merkel.
“Ju bëj thirrje juve: përmbajuni rregullave, që do të jenë në fuqi së shpejti. Ne si qeveri vazhdimisht do të shqyrtojmë, se çfarë mund të korrigjohet sërish, por edhe se çfarë është e nevojshme.” Që pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka pasur ndonjë sfidë të ngjashme./DW