Gjermania ka nisur të kthejë mbrapsht dhjetëra mijëra shtetas të saj të bllokuar jashtë kufijve për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ministri i jashtëm, Heiko Maas tha se vetëm gjatë ditës së sotme, 30 deri në 40 avionë do të nisen drejt destinacioneve të ndryshme nëpër botë për të çuar në shtëpi turistët gjermanë që nuk kthehen dot. Për këtë qëllim, qeveria gjermane ka ndarë 50 milionë euro. Sipas Maas, janë rreth 35,000 turistë gjermanë te ngecur në Egjipt, e 4.000 deri në 5.000 te tjerë ndodhen në vende si Argjentina, Filipine apo Maldivet.
Ministri shtoi se shumë njerëz si brenda, ashtu edhe jashtë kufijve kanë kontaktuar autoritetet gjermane për të kërkuar ndihmë. Lajmi mbërrin në kohën kur një ditë më parë, Instituti prestigjioz gjerman “Robert Koch” vlerësoi se pandemia mund të zgjasë deri në dy vjet. Instituti e rriti shkallën e rrezikut të infeksionit Covid 19 në Gjermani. Tani ajo shihet si “e lartë”. Deri më tani ky institut e kishte kategorizuar rrezikun si “mesatar”.
Arsyeja është rritja e shpejtë e numrit të të infektuarve në Gjermani. Megjithatë, sipas drejtorit të Institutit, Lothar Wieler, zgjatja e pandemisë deri në 2 vjet do të ishte rasti më ekstrem. Ai sqaroi se pandemitë kanë një fazë zhvillimi me valë, por ndërkohë zgjatja e saj varet edhe nga koha kur do të mund të vihet në veprim një vaksinë.