“Partia Socialiste dhe mazhoranca ka propozuar qartë forcimin e masave për transparencën e financimeve në mënyrë që të ulet numri i abuzimit, duke u bazuar dhe në modele të suksesshme si ai britanik”, deklaroi sot deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti. Gjylameti tha se “çështja e financimit të partive politike është një ndër çështjet më kyçe të reformimit zgjedhor pjesë e propozimeve të OSBE/ODIHR, por edhe një kërkesë e artikuluar nga mazhoranca që në krye të herës”.

“Deklaratat e përziera me doza milituese nuk e ndihmojnë shëndoshjen e dialogut politik për të dhënë zgjidhje gjithëpërfshirëse. Pikëpamja jonë për reformën zgjedhore është drejtpërdrejt demokratike dhe kushtetuese sepse ka në kryefjalën e saj ruajtjen e balancës, që hedh poshtë çdo trajtim të ulët, se kinse mazhoranca e bën gjithçka vetëm dhe jodemokratike”, tha ajo.

Propozimi “miks” për shtimin e masës për shtetin duke lënë tavanin e pranueshëm, sipas Gjylametit, “do të ndërtojë një fushatë zgjedhore me standard duke gjetur një shifër në balancë”. “Kryefjala jonë është balanca, gjithëpërfshirja, sepse ne kemi standardin kryesor përmirësimin e vetvetes”, tha ajo.