Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ka përshëndetur vendimin e Këshillit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE. Ai thotë se kjo është një ngjarje historike në një moment të vështirë kur vendi po lufton me Covid-19.

“Vendimi i Bashkimit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë është një nga lajmet më të mira të këtyre ditëve të vështira për vendin tonë. Pikërisht tani që ne jemi mbyllur në shtëpi në një përpjekje të përbashkët për të mundur armikun e padukshëm Covid-19, hapja e negociatave me BE-në është një ngjarje historike dhe gjithashtu një mesazh force e vendosmërie për të ecur përpara. Këtej e tutje nis një etapë e re në rrugëtimin tonë drejt familjes së Bashkimit Europian. Njësoj siç bëmë detyrat e shtëpisë për të arritur në këtë pikë, jam i bindur që do ia dalim mbanë edhe në procesin e vështirë e të gjatë të negociatave. Shqipëria është pjesë integrale e Europës dhe pashmangshmërisht do të jetë anëtare e unionit.Mirënjohje për secilin vend që vlerësoi progresin dhe reformat që ne kemi ndërmarrë.”, shkruan Çuçi në faqen e tij në Facebook.