Nga Ylli Pata

Ilir Meta çimentoi dje një aleancë të vjetër gati 30 vjeçare me Sali Berishën dhe e bëri publike si një alternativë dhe forcë politike, që e shpalli para shqiptarëve. Në gjithë këto vite ka pasur aleancë të fshehtë, aleancë fluide, aleancë zemërthyer, por kurrë kjo marrëdhënie nuk është ndalur. E nisur kur Meta ishte kryeministër që faktorizonte Berishën si antipod, madje edhe e çoi në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, duke i dhënë një viktimizim që Doktorit pas gjëmës së 1997-s i vyente, pas vitit 2013 metafora u shndërrua në “Doktori është dobësia ime”, “Doktori është burri më i besës në politikë”, “Doktori është njeri i fjalës”. Por si lindi dhe si u zhvillua marrëdhënia mes Sali Berishës dhe Ilir Metës për të ardhur sot, kur dy figurat e njohura të politikës shqiptare po blatojnë një lëvizje që duket se do të jetë një alternativë jo vetëm e Edi Ramës, por edhe e Lulzim Bashës, nëse ku i fundit nuk do të shkojë pas avazit, siç dhe ka bërë disa herë në këto vite. Ilir Meta, një student i Ekonomikut, mori pjesë në vitin 1990, në dhjetor pra, në përfaqësinë e Fakultetit të tij për të kërkuar pluralizmin politik në takimin me Ramiz Alinë, udhëheqësin e fundëm komunist të Shqipërisë. Por Sali Berisha nuk e dekoroi në vitin 1993 me medaljen “Pishtari i Demokracisë”. Atë ja dha Pandeli Majkos, një tjetër deputeti socialist që mori pjesë në lëvizjen studentore.

Meta u afrua në PS si një i ri që kërkonte një program social-demokrat në shoqërinë shqiptare. Madje lidererët e PS-së së Fatos Nanos, si Namik Dokle e Servet Pëllumbi, nuk e fshihnin entuziasmin për talentin e zbulimit të ri që fliste qartë e shkoqur. Meta u zgjodh si drejtues i eurosocialistëve të Tiranës e numri dy i FRESSH, duke marrë një zonë deputeti të sigurtë, që ishte Skrapari, për t’u zgjedhur deputet. Ilir Meta u vu nën aku zë nga Prokuroria e Sali Berishës për një revoltë të punëtorëve të uzinës së armëve të Poliçanit, madje ju hoq edhe imuniteti. Por pas arrestimit të Fatos Nanos, sidomos kur ai u zgjodh kryetar i FRESSH dhe nënkryetar i PS-së, si dhe drejtues i marrëdhënieve ndërkombëtare, pati fjalë për një flirt të tij me Berishën. E pikërisht këto fjalë dhe e penalizuan në vitin 1996, kur pas mocionit të Fatos Nanos nga burgu i Bënçës, Meta u largua nga drejtimi i PS-së. Megjithatë, ai u zgjodh deputet i Skraparit. Nano e propozoi në vitin 1997 si sekretar për Ministrinë e Jashtme, një biçim numri dy i MPJ-së, por duke i kërkuar që të lërë mandatin e deputetit. Natyrisht që Meta nuk e pranoi dhe më në fund ishte Nano që u tërhoq, duke i dhënë madje edhe drejtimin e PS-së së Tiranës, një post që parasheh karrierën në krye të kupolës socialiste.

Meta kishte mbështetjen e një lobi shumë të fuqishëm ekonomik të Shqipërisë, atë të Hasanbellinjëve të Durrësit, të cilët lobuan shumë, po shumë, që Ilir Meta të jetë në krye të politikës shqiptare. Ky fakt përbën edhe lobimin e parë politik të një oligarkie financiare, që në fakt nuk ishte thjesht e tillë, por një klan që kontrollonte një zonë bazike të vendit: portin më të madh të Shqipërisë, kryesisht nga 1997 e deri në vitin 2000. Dhe ishte pikërisht ky lobim që e bëri Ilir Metën kryeministër në vitin 1999, pas humbjes së Pandeli Majkos, i cili sfidoi hapur politikisht Fatos Nanon në një Kongres të PS-së për postin e kryetarit, duke rrezikuar fitoren, dhe madje humbja erdhi ndoshta nga tradhtia e Ilir Metës, i cili zgjodhi marrëveshjen fluide me Fatos Nanon. Por kjo nuk ishte e vetmja, pasi kur Meta në kulmin e fuqisë së tij si kryeministër, kur nisën të vijnë paratë e dy konferencave të donatorëve të BE-së, të Nanos e Majkos, si dhe rigjenerimin e biznesit vendas, përjetoi një frikë që ai vetë, por edhe bashkëpunëtorë të tij mund të viheshin në hetim nga Prokuroria e Republikës. Kreu i organit të aku zës, flasim në vitin 2002, ishte Arben Rakipi, një jurist që në bashkëpunim me antimafian italiane kishte arrestuar dhe shokun e tij të vjetër, Sokol Koçiun, numri dy i Prokurorisë së Përgjithshme, i cili kishte negocuar për ta kthyer jugun e vendit si bazë kokaine.

Ilir Meta, në atë kohë kryeministër i vendit, për herë të parë publikisht bashkon votat me Sali Berishën e sapokthyer në Parlament pas një bojkoti të gjatë (rastësia është e çuditshme), dhe shkarkon Arben Rakipin si kryeprokuror, duke zgjedhur në këtë post këshilltarin e presidentit Rexhep Meidani, Theodhori Sollakun, duke lënë në minorancë udhëheqjen zyrtare të Partisë Socialiste. Realisht kjo aleancë i hapi rrugën rikthimit të Sali Berishës në pushtet pas ikjes me gjëmë në vitin 1997. Pak muaj më pas, ishte Fatos Nano që do të bëjë aleancë me Berishën për të zgjehdur president të vendit Alfred Moisiun. Në vitin 2003, Ilir Meta nuk zgjidhet në organet drejtuese të PS-së, në një Kongres parodi të organizuar nga Fatos Nano. Në pranverën e një viti më pas, ai mbledh udhëheqës historikë të PS-së dhe themelon Lëvizjen Socialiste për Integrim, një formacion me program bazik majtist dhe si themel ka antiberishizmin. Krijon me perfeksion një PR si pasardhës i Mehmet Shehut, duke marrë vota nga njerëz nostalgjikë të PPSH-së.

Në zgjedhjet e 2005-s LSI merr 7 deputetë, duke dërrmuar PS-në kudo ku ajo konkurronte në mazhoritar me PD-në, dhe Sali Berisha vjen në qeverisje. Në vitin 2006, Ilir Meta afrohet në aleancë me Edi Ramën duke i ofruar postin e kreut të Bashkisë së Tiranës si mbështetje dhe kërkuar si këmbim postin e kreut të Qeverisë. E majta e bashkuar fiton shumicën e bashkive të Shqipërisë, përveç Shkodrës, Kukësit, e ndonje bashkie të vogël. Rama nuk pranon t’i japë Metës në zgjedhjet e mëvonshme postin e kryeministrit dhe bën aleancë me Sali Berishën për të ndryshuar Kushtetutën, për të polarizuar politikën në favor të dy partive kryesore. Pas kësaj Meta kriset me Ramën, bën një betejë publike që i shton pikët në public, ndërsa më pas bojkoton këshillat bashkiakë, duke bashkuar votat me  Sali Berishën. Në zgjedhjet e vitit 2009, Ilir Meta merr vetëm 4 deputetë, por edhe pse kishte bërë një fushatë thelbësisht të majtë, nuk vonon dhe shpall koalicionin me Sali Berishën. Në këtë kohë ka ndodhur trauma më e madhe në radhët e së majtës shqiptare dhe sipas të gjitha gjasave, formacioni majtist shqiptar ka marr aty tatëpjetën që më pas e ka shkërmoqur, përveç Metës, edhe Edi Rama.

Megjithatë kreu i PS-së e përdor fort këtë pjesë dhe e kthen Ilir Metën në një parodi të qeverisjes së Sali Berishës. Socialistët e urrejnë më shumë se Doktorin. Shpërthen videoskandali Meta-Prifti, ndodh 21 janari vriten 4 qytetarë në Bulevard, Meta i quan kokëpalarë, pak muaj më pas Rama humbet Bashkinë e Tiranës si pasojë e një manipulimi të hapur, që u cilësua i tillë edhe nga OSBE-ODIHR. Por dy vjet më pas, Edi Rama, papritur e pakujtuar lidh me Ilir Metën një aleancë politiko-elektorale që i jep 1 milion vota kundër Sali Berishës dhe e bën kreun e PS-së kryeministër të vendit. Por Metën, ai edhe pse i dha 40% të pushtetit dhe postin numër 2 të Republikës, atë të kryetarit të vendit, nuk e pati kurrë në krah. Madje i doli kundër vetëm 2 muaj pas zgjedhjeve, kur SHBA i kërkoi Shqipërisë të shkatërronte armët kimike të Bashar al Asadit. Në publik u hodhën miliona euro nga qarqe ruse që financoheshin nga Gazprom e Rosneft, që u përdoren nga të ashtuquajturat OJF që zhvilluan demonstratën e parë postkomuniste përpara Ambasadës së SHBA në Tiranë. Si kryetar i Kuvendit Meta i dha Sali Berishës rolin e “primadona”-s të Kuvendit, duke përsëritur slloganin “Doktori është dobësia ime”. Epilogu më pas dihet, pas kësaj krisje SHBA përkrahu reformën në drejtësi, Meta e Berisha e kundërshtuan duke tentuar të rrëzojnë Ramën. Ky i fundit në vend që të prishë aleancën me Metën, e bën president dhe fiton zgjedhjet e 2017. Meta më pas shpall luftën ndaj Ramës duke tentuar që ta rrëzojë edhe me një krisje të sistemit, duke anuluar zgjedhjet, por kjo prodhoi një krisje të tij me SHBA e BE. Por megjithatë Meta e Berisha asnjëherë nuk janë ndarë, madje sot janë më shumë se bashkë, ndoshta mund të jenë edhe në një formacion politik miks biçim nacionalist, sovranist, anti-sorrosian, etj etj, që si fetë elektorati tenton elementin tradicionalist që ka votuar Sali Berishën. Kjo mund të shihet thjeshtë në qendrat e votimit të zgjedhjeve të vitit 2017, ku LSI ka marrë vota në bastionet e PD-së…