Dukej se kishte një rol dytësor, por e priste një angazhim gradual në formacionin e Interit. Alessandro Bastoni, në vitin e tij të parë me zikaltrit, tashmë po fiton statusin e titullarit. Lojtari i datëlindjes 1999 ishte një nga surprizat më të mëdha, edhe pse prej disa vitesh është konsideruar si një nga talentet më të mira italiane. Ai ka ide të qarta për të ardhmen, siç pohon për “Gazzetta dello Sport”: “Për 10 vite e shoh veten tek Interi, me disa trofe të fituar. Dhe mbase kapiten”.
Ky besim ka ardhur pas një fillimi të vështirë, të bërë mbi të gjitha me frikë. Përparimi i tij është edhe meritë e Antonio Conte: “Unë kisha frikë se nuk isha në lartësinë e duhur për një trajner si Conte. Ai më mbajti në telefon për 15 minuta, më pyeti se për çfarë shqetësohesha. Dhe pastaj më dha kurajo: Nëse je tek Interi, kjo e ka një arsye. Ti je këtu, sepse unë të kam kërkuar. Unë u frikësova, kisha frikë nga kapërcimi i madh në karrierë. Pastaj, kuptova se mbiemri nuk kishte rëndësi. Shokët e mi ishin të gjithë si unë, me të mirat dhe të këqijat”.

Pastaj erdhi debutimi, kundër Sampdoria, ndeshja e parë si startues te zikaltrit, e para nga 17 paraqitjet sezonale: “Gjatë javës pata disa ndjenja… Conte nuk tha asgjë për mua, kjo është forca e tij. Ai më trajtoi si dikë, që kishte luajtur tek Interi për 15 vite”.

Për të, Interi ka paguar 31 milionë €, një shifër e rëndësishme. Bastoni, gjithashtu, tregoi se si mësoi për interesin e zikaltërve: “Menaxheri im, Tinti, më thërret në një Autogrill në Parma. Unë iki, e takoj dhe ai filloi të flasë: Interi ka shprehur… Unë as e lashë të përfundonte, duke ia prerë shkurt: Po, po, le të shkojmë. Çmimin 31 milionë euro e kam mësuar më vonë”.