Nga Bashkim Shala

Kukes me 30 mars: Shqipëria ka dërguar një ekip prej 30 mjekësh dhe infermierësh për të ndihmuar Lombardinë në luftën kundër koronavirusit. Personeli mjeksor tashmë është vendosur dhe ka filluar punën në zonën më të prekur në Bergamo. Gjesti që është vlerësuar gjerësisht nga italianët, shihet nga kundershtarët politikë të Edi Ramës si fitore politike e tij, ndaj dhe disa drejtues të opozitës dhe media pranë saj , kanë kundershtuar dergimin e tyre, pasi sipas tyre edhe Shqipëria është përfshirë nga pandemia si dhe vuan nga mungesa e mjekëve. Pavarësisht kundershtimeve, shqiptarët të varfër, por me memorie, me këtë veprim i treguan Italisë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk e braktisin.

Italia ka bërë për Shqipërinë më 1991, më 1997 dhe më 2020, pas tërmetit shkatërrimtar. Por meqë behet fjalë për memorie, unë do kthehesha 21 vite pas, si dëshmitar i ngjarjeve të luftës së Kosoves. Vetëm tre ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe dhe jugosllave, filloi spastrimi i madh i Kosoves. Dhjetra, mijëra shqiptarë të Kosoves kanë nisur të vijnë pasditen e e 27 marsit në Kukës permes Morinit. Ishin vetë ushtarët serb që kanë bërë transportimin e tyre me kamionë e autobusë, duke I sjellë në Shqipëri. “Ikni nga toka serbe, shkoni në Shqipëri”- me këtë moto banda kriminelësh e skuadra ushtarësh e policësh, kanë nisur spastrimin e madh të Kosovës.

Për tre ditë numri I të ardhurve arriti në rreth 100 mijë, ku 40 mijë prej tyre ishin vendosur në qytetin e Kukesit me 25 mijë banorë. UNHCR, Agjencia e OKB-së për Refugjatët u gjend e papërgatitur në këtë situatë duke hasur në kritikat e ashpra të zyrtarëve të qeverisë shqiptare. Në këto ditë kur në Shqipëri kishin zbarkuar rreth 100 mijë refugjatë të luftës nga Kosova, UNHCR-ja kishte në depot e saj vetëm 10 mijë dyshekë dhe nuk bëhej fjalë për krevate dhe mjete të tjera të domosdoshme. “Po të vazhdojmë kështu, kjo situatë së shpejti kthehet në katastrofë, – tha asokohe Ilir Meta, zv/kryeministër dhe i derguar i qeverisë në Kukes. Por edhe kësaj radhe, Shqipërisë, njëherësh edhe Kosoves i është gjendur pranë fqinji i saj Italia. Ndonëse me kundërshtime të forta brenda koalicionit të së majtës që drejtonte Italinë, Qeveria e këtij vendi luajti rol kryesor në mbështetjen e aksionit historik të NATO-s që kontribuoi për lirinë e Kosovës dhe paqen në rajon.

Po kështu Italia dhe qeveria D’Alema mbajti barrën kryesore të operacionit humanitar në Shqipëri, në mbështetje të një milion shqiptarëve të dëbuar nga Kosova. Pikërisht me 30 mars të vitit 1999 në oren 13:20 minuta , ka mbritur në Kukes zv/kryeministre dhe ministrja e Brendshme e Italisë, Roza Ruso Jervolino, e shoqëruar nga zëvendësministri i Jashtëm italian Ranieri dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane. Jervolino në fillim është takuar me refugjatë nga Kosova të strehuar në Kukes. Ato i kanë treguar zonjes Jervolino për krimet serbe. Nderkohë që numri i dy i qeverisë italiane nuk i ka mbajtur dot lotët, madje ka shperthyer duke qarë me dënesë. Menjëherë ka nxjerrë telefonin dhe ka hyrë në lidhje me kryeministrin italian të asaj kohe Massimo D’Alema ku ka kërkuar ndihmë urgjente, përndryshe këtu do të ndodhë katastrofa. “Unë, nënsekretari i shtetit Ranieri, si edhe shefi i policisë italiane, jemi këtu për të shprehur solidaritetin e popullit dhe të qeverisë italiane. Ju admirojmë për dinjitetin dhe kurajën, me të cilën po përballoni këtë situatë, – tha Jervolino. – Z.

D’Alema, – vazhdoi ajo, – ka thirrur në një mbledhje pune urgjente Këshillin e Ministrave, ku janë parashikuar ndihma të menjëhershme për Shqipërinë dhe këto do t’i dorëzohen qeverisë shqiptare”, deklaroi për gazetarët pas bisedës telefonike me kryeministrin D’Alema. Të nesërmen, në Kukës dhe në gjithë Shqipërinë do të niste një operacion humanitar me emrin “Arcobaleno”me përmasa gjigante, ndër më të mëdhenjtë e historisë së rajonit tonë. Në librin e tij dedikuar kësaj ngjarjeje kryeministri D’Alema do të pohonte se nëpërmjet kësaj ndërhyrjeje “Italia, në radhë të parë do të rikthente rolin dhe prestigjin ndërkombëtar që meriton; qytetarët italianë demonstruan edhe një herë sa i thellë dhe i rrënjosur qëndron ndër ta vokacioni për solidaritet; dhe në fund politika gjeti në një nga rrugët më të vështira dhe të rrezikshme të historisë moderne, arsyet dhe forcën për të marrë përsipër dhe kryer, deri në fund, detyrën e saj. Por nuk kanë kaluar veçse pak ditë ditë nga vizita e zonjës Jervolino,

Kukesin si epiqendër të krizës e ka vizituar vetë kryeministri D’Alema. 4 prilli I vitit 1999 do të mbetet në kujtesën e mijra refugjatëve të luftës nga Kosova të strehuar në kampin Italian në Rexhepaj. Kryeministri D’Alema ishte I pari fuksionar I këtij niveli që ka arritur në Shqipëri, madje ka udhetuar deri në Kukes. D’Alema ka festuar Pashket me refugjatët kosovarë në Kukes në kampin Italian “Arcobaleno”(Ylberi) ku ishin të strehuar rreth 5 mijë refugjatë, kryesisht nga Suhareka.

“Kujtoj angazhimin e përbashkët përballë tragjedisë së Kosovës kur Shqipëria qe e aftë të priste me mijëra persona që iknin nga Kosova. Italia i qëndroi pranë Shqipërisë me vullnetarët tanë. Ne kemi jetuar shumë çaste të vështira”, tha D’Alema para 2 vitesh në Tiranë ku mori Dekoratën “Nënë Tereza” të akorduar nga Presidenti I Shqipërisë Ilir Meta për kontributin e dhënë për çeshtjen e Kosoves. Gjithësesi, udhetimi i 30 mjekëve dhe infermiereve të shtunën në Itali ndoshta nuk është shpetim për këtë vend të goditur më rëndë nga pandemia në të gjithë globin , por ata janë sot pasaporta krenare e shqiptarëve , në vendin që na është gjendur pranë më shumë se çdo vend tjetër në ditët tona të vështira. Pavarësisht kësaj, shqiptarët nuk i dalin dot borxhit Italisë, ndaj udhetimi i personelit mjekësor nga Shqipëria për në Itali veçse duhet duartrokitur.

Autori është gazetar I të përditshmes Koha Ditore, raporton ngjarjet nga Shqipëria. Në kohën e krizës Kosoves ka qenë korespondent I rajonit të Kukesit për gazetën Koha Jonë