Zyrtare do të bëhet pas katër orësh, por tashmë nuk ka më asnjë sekret: Skënder Gega do të jetë trajneri i ri i Kukësit! Ish-tekniku i Partizanit, që udhëhoqi të kuqtë drejt titullit kampion pas 26 vitesh, ka shtrënguar duart me Safet Gjicin dje në mbrëmje dhe kanë limuar çdo detaj të kontratës që Gega do të firmosë simbolikisht në orën 16:00, pasi aventura e tij e re ka nisur. Gega do të zëvendësojë në këtë detyrë Shpëtim Duron, që u shkarkua pas 24 javësh nga drejtimi i verilindorëve, me këta të fundit që humbën vendin e parë në klasifikim dhe rrëshkitën në -4 pikë nga Tirana në tre javët e fundit. Kjo ka bërë që Gjici t’i japë fund marrëveshjes me Duron dhe të synojë një timonier të ri, me shpresën që t’i japë skuadrës shkundjen e duhur për të rikthyer në Kukës titullin kampion.
Ndaj kreu i Kukësit nuk ka humbur kohë që dje në mbrëmje, menjëherë pas shkarkimit të Duros, ka kontaktuar Gegën. Ish-trajneri i kuq është shoqëruar në këtë takim nga Rrahman Hallaci, teksa fillimish është takuar me drejtorin Nexhipi, ku ka mësuar kushtet e para të Kukësit dhe ditën e sotme ka vulosur çdo gjë me kreun e klubit verilindor. Një bashkëpunim që mund të ishte bërë realitet tre vite më parë, por atëherë Gega dhe Gjici ndëprenë bisedimet ende pa i nisur mirë. Kështu Skënder Gega do të rikthehet në Kategorinë Superiore nëntë muaj pasi mbylli aventurën e tij te Partizani. Asokohe u pompua fort se bëhej fjalë për arsye familjare, por e vërteta ka qenë përplasja e tij me drejtorin e të kuqve, Olsi Ramën, me këtë të fundit që kërkonte të impononte strategjitë e tij të merkatos te trajneri kampion, çka solli dhe në divorcin përfundimtar mes palëve menjëherë pas kurorëzmit të Partizanit.