Nga Ben Andoni/
Ata punojnë për çdo ditë 24 orë pandalim. Qëllon, që kur dikush kalon aty orët e vonëta, do e shikojë patjetër operatorin e tyre të turnit, që ndonjëherë dremit pak, por më të shumën e herës që i shtendosur para ekranit, në lodrimin rutinor në internet, pret porositë. Porositë e vdekjes.
Veçse, dje, ishte një ditë “e zakonshme” karantine për shqiptarët, kurse për ata ditë e plotë dhe intensive pune. Nga një furgon i bardhë, ngjyra e të cilit ndillte më frikë se vetë vdekja, shkarkoheshin e shkarkoheshin …arkivolë. Askujt nuk i bënte përshtypje në atë fashë pasditore ky operacion, sepse njerëzit mundoheshin të rikuperonin brenda atij 2 orëshi, atë që mbetej pa u bërë nga dita e gjatë. Nxitonin familjarët për të plotësuar kërkesat bazike të karantinës dhe për t’u asistuar më pleqve, të rinjtë që e quajnë disi një lodër qeveritare, hokatarët duke bërë shaka dhe madje duke e prekur njëri-tjetrin, kurse bjeraditësit me zërin e ngritur për të kujtuar se pse duhet të ketë karantinë për ata, që janë gjithnjë në karantinën e çakërqejfit.
Veçse në sytë e pak njerëzve, që kalonin atypari, pati një stepje. E shikoje nga ndalimi i hapave. E, jo thjesht për kumtin e vdekjes që tashmë e kishin fare të prekshëm e mund të vijë nga çdo çast, por situatës ku askush nuk mund të parashikojë asgjë, veç kujdesit. Kujdes nga frika! Tutje, paniku!
Ky absurd i madh i kohës ku lufta është e padukshme, por po aq bizarre dhe ndoshta po kaq me pasoja sa betejat e përgjakshme mbase do të na kushtojë shumë. Por, siç ndodh me fillimet e luftrave, askush nuk mund të parashikojë si ishte dhe sesi do të jetë! E paparashikuara i mbledh të gjitha: Mendimet, planet, ëndërrimet, përditmërinë. Si e la një rrjedhë jete dhe si do të nisë një tjetër, nëse do të ketë! Sa do të arrijmë të përballim traumën, nëse do të ketë! Me çfarë befasish do të na përballë koha e re, sepse e tillë quhet ajo që lë pas një traumë!
Këto duhet t’i kujtonin pak njerëzit që kalonin ndanë biznesit të vdekjes, që gjithsesi vazhdon po normal, ashtu si në ditët e normalitetit. Me burrin-operator që dremit vonët në darkë, me arkivolët që u dorëzuan, sepse biznesi i vdekjes është i vetmi që ka një ritëm të pandryshuar për 24 orë në 24 orë, me ngritje dhe ulje, sipas gjendjeve dhe fateve të atyre njerëzve që e sodisin pa asnjë “interes”.
Dje, u shkarkuan shumë arkivole. Mbase është një procedurë e zakonshme dhe e tillë qoftë. Mbase do ta kalojmë dhe shpresojmë ta kalojmë me sa më pak viktima, por kohë të tilla të mësojnë realisht sesa e vlefshme është jeta, që zakonisht nëpërkëmbët në vendin tonë, për hir të gjërave që kanë vlerë thjesht për pak njerëz, atyre që besojmë dhe shpesh kanë në dorë fatet e vendit tonë. Po biznesi i vdekjes është gjithnjë një indikator i pagabueshëm për jetën. Sepse vetë vdekja nuk gënjen. Është sublime. (Javanews)