Një grua 97-vjeçare është bërë personi më i vjetër në Korenë e Jugut që shërohet nga koronavirusi, sipas Yonhap News.

Ende nuk ka detaje të tjera rreth saj – por ajo nuk është e vetmja në botë që përkundër moshës e ka fituar betejën me virusin.

Më parë, media media shtetërore kineze Xinhua raportoi se një burrë 100-vjeçar në Kinë gjithashtu ishte shëruar nga virusi. Gazeta thoshte se ai është pacienti më i vjetër i shëruar deri më tani, raporton BBC.

Koreja e Jugut të enjten raportoi 104 raste të reja, të cilat u zbuluan të mërkurën, duke e çuar numrin në 9,241 raste, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Korenë e Jugut. Numri i vdekjeve u rrit me 6 duke shkuar në 132, dhe 56 pacientë me virus janë në gjendje kritike.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins, në nivel global, ka pasur më shumë se 470,000 infeksione me koronavirus dhe 21 287 vdekje.