Nga Eduard Zaloshnja/

Nga dita kur koronavirusi i ri u përvodh jashtë qytetit të origjinës (Wuhan), vende të ndryshme, në kohë të ndryshme, kanë marrë masa nga më të ndryshmet për parandalimin e përhapjes së tij. Masat sa vijnë e bëhen më shtrënguese, dhe në disa raste, kanë ndryshuar nga dita në ditë (sepse edhe alarmi ndaj virusit rritet nga dita në ditë).

Masa më e fundit shtrënguese e qeverisë shqiptare ishte kufizimi i lëvizjes së popullsisë (karantinimi) gjatë gjithë së djelës. Por të hënën në mëngjes, njerzit do të jenë përsëri të lirë të dalin nga shtëpitë deri në orën 13. Dhe mendja ta do se do të përsëriten skenat e së shtunës, kur njerzit u turrën në dyqane për të blerë apo në sheshet para pallateve për të thashethemuar.

Në qoftë se qeveria do vërtet që të mos ketë nga 13 e më shumë raste të reja të koronavirisut çdo ditë ndër shqiptarët, duhet që t’i detyrojë ata të rrinë 24 orë në shtëpi, siç i detyroi këtë të djelë.

Vetëm punonjësit e bizneseve që do ta vazhdojnë punën duhet të pajisen me leje për të shkuar e ardhur nga puna, ndërsa të tjerët duhet ta justifikojnë me një kupon tatimor ose diçka të barazvlefshme daljen nga shtëpia. Dalje për të thashemuar poshtë pallatit apo për të bërë xhiro krah për krah nuk duhet të ketë më, nëse duam që të mos na përhapet virusi i vdekjes si në Itali.