Nga Denis Dyrnjaja
Sot është edhe një ditë kujtese, mirënjohjeje dhe falënderimi për heronjtë e heshtur. Ndoshta dhe do habiteni por, në këtë ditë së pari kam një falënderim dhe mirënjohje për heroin tim të heshtur. Ai është im At.Duket si pa kuptim ndoshta kjo, por jo për mua. Sot është më shumë se dita e nënës sime dita e tij. Prej gati një dekade me kurajën dhe forcën që mesa duket e prodhon vetëm dashuria e vërtetë njerëzore im ‘At, i gjendet çdo ditë pranë time ‘Mëje, e cila është e pamundur fizikisht për shkaqe shëndetësore.
Ai është shndërruar me një vullnet të hekurt dhe stoik në infermier, kuzhinier, shoqërues, kujdestar, sanitar dhe e bën këtë me një përkushtim mbresëlënës. Herë herë më duket një vëmendje e ekzagjeruar. Ai është “protektor” i suksesit të tij në këtë betejë. E nëse 8 marsi është festë, është për burrat fisnikë që respektojnë dhe i duan gratë, jo në mënyrë egoiste, por si bashkudhëtare të jetës së tyre në të mirë e në te keq. Faleminderit bab, për gjithë përshkushtimin dhe durimin tënd për mamin.
Mam për ty janë ditë të vështira të pamundësisë fizike, por pamundësia fizike si dhe çdo sëmundje sado e rëndë nuk e mund dot dashurinë mesa duket. Falë vëmendjes dhe përkushtimit për sa t’i kesh sytë hapur, 8 mars çdo ditë do ketë se për ne je e shtrenjta jonë për jetë.