Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka falenderuar sot Shqipërinë për dërgimin e 30 mjekëve dhe infermierëve në Itali, për të ndihmuar në zonat e prekura nga koronavirusi COVID-19.

“Faleminderit Shqipëri” ka shkruar kryeministri italian Conte teksa ka publikuar një video ku tregohet pjesë nga fjala e Kryeministrit Edi Rama gjatë ceremonisë së nisjes së 30 mjekëve dhe infermierëve.

Të shumta janë reagimet e qytetarëvev italianë të cilët falenderojnë dhe shprehin mirënjohje për mjekët shqiptarë.

“Do e mbajmë mend këtë gjest të madh të Shqipërisë! Faleminderit! Ashtu siç nuk do të harrojmë dredhitë e mëdha të vendeve të tjera. Faleminderit juve që u zbuluat kush ishit”, shprehet një italiane.

Rosella Colombo, një tjetër qytetare është shprehur se, “është e mrekullueshme të dëgjosh këto fjalë. Leksione të mëdha për disa vende”.

“Kryeministri Conte të dalim nga kjo europë, që në momentin e nevojës rezultoi edhe njëherë e panevojshme. U soll më mirë Shqipëria se sa vende të tjera të pasura”, ka thënë Fabio Amico, një tjetër qytetar italian.

Giovanni Navarra është shprehur se, “kam shërbyer në 1991 (në operacionin Pelikan) në Shqipëri. Mision paqeje si vullnetar. Sot me këtë gjest të Shqipërisë ndihem shumë i paguar për atë që kam bërë. Do ta bëja edhe mijëra herë të tjera”.

“Të vjetërit i japin leksione të mëdhenjve. Faleminderit Shqipëri”, ka thënë Luigina Saracino, një tjetër qytetare italiane.

“Edhe unë kam lindur nga prindër të huaj dhe e dashuroj thellësisht këtë vend, por duke njohur shumë shqiptare mund të konfirmoj se nuk ekzistojnë të huaj të tjerë që e adhurojnë Italinë më shumë sesa e adhurojnë ata”, shprehet një tjetër qytetare./Atsh