Nga mbrojtësi te … mbrojtësi. Matthijs De Ligt nuk është lojtari i vetëm në familjen e tij “të madhe”. Edhe vjehrri i tij, Keje Molenaar, ka një të kaluar në fushat e blerta, në vitet ’80, madje edhe tek Ajax i Cruyff. Babai i AnneKee, partneres së numrit 4 bardhezi, foli për “Tuttosport” mbi të ardhmen e dhëndrit, duke thënë se De Ligt mund të qëndrojë te Juventusi shumë më gjatë: “Ata janë aq të dashuruar me Torinon dhe Italinë, sa ndoshta pesë vite do të mbeten atje. Ose, ndoshta dhjetë vite, pse jo… Në futboll nuk i dihet kurrë”.

Molenaar, i cili luajti si mbrojtës, ndërsa sot është avokat, foli edhe për përmirësimet që De Ligt po bën dita-ditës me fanellën bardhezi: “Si mbrojtës është i fortë. Natyrisht, do të jetë më i fortë çdo ditë, sepse ka një dëshirë të madhe për të punuar dhe përmirësuar. Bonucci dhe Chiellini po i mësojnë shumë gjëra. Ai është shumë i kënaqur me përvojën e tij te Juventusi”.