Personeli mjekësor që është në vijë të parë në betejën me koronavirusin, do të ketë në dispozicion autobusë të posaçëm për të lëvizur. Ky vendim i Bashkisë së Tiranës për të garantuar transportin e posaçem për personelin mjekësor, funksionon edhe për linjën e Kamzës.
Kështu, në bazë të këtij vendimi, infermierët e mjekët në Kamëz apo nga Kamza që janë brenda regjimit spitalor të Tiranës, do të mund të përdorin linjën e transportit urban, duke përcaktuar edhe itinerarin dhe stacionet. Sipas këtij vendimi, nisja e urbaneve do të bëhet nga Kamza në orën 6:20, me stacione: Kamëz, Bathore, Ura e Institutit, Institut, Casa Italia, rrethrrotullimi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha”, hyrja e rrugës “Lord Bajron”, Zogu i ZI, “Piazza”, dhe po kështu kthimi për në Kamëz. Një tjetër nisje nga Kamza dhe bërja e të njëjtit cikël sa më sipër është vendosur në orën 12:50, ndërsa nisja e fundit nga Kamza është përcaktuar në orën 18:50 me të njëjtin itinerar.
Sipas urdhrit të Bashkisë së Tiranës, operatorët që do të ofrojnë këtë shërbim, do të duhet të marrin masa për pajisjen e stafit të tyre me mjete mbrojtëse, me qëllim ruajtjen e shëndetit të tyre.