Në komunikimin e përditshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, nga përfaqësuesit e Task-Forcës së ngritur nga Ministrja Ogerta Manastirliu, Përgjegjësja e Departamentit të Epidemiolgojise dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në Instituti i Shëndetit Publik, dr. Silva Bino ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka asnjë rast të evidentuar me koronavirus. “Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar edhe 5 raste të reja në Laboratorin e Virologjisë pranë ISHP të cilat kanë rezultuar negative, pra kemi 58 raste negative. Të gjitha rastet kanë rezultuar negative për COVID 19,” u shpreh Silva Bino. Përfaqësuesja e Task Forcës theksoi se rastet e testuara kanë pasur shenja të infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthim epidemik dhe komunitar të koronavirusit të ri. “Ne kemi zgjeruar edhe përkufizimin e rastit dhe po testojmë jo vetëm raste që kanë shenja respiratore dhe histori udhëtimi, por edhe raste të cilat kanë shenja të sëmundjes së rëndë respiratore akute që kërkojnë hospitalizim dhe që nuk kanë një shkak tjetër që të shpjegojë këtë sëmundje. Rastet e testuara i përkasin kryesisht Tiranës 60% e rasteve, Shkodrës, Durrësit, Fierit, Lezhës dhe Vlorës”, tha Bino.
Bino deklaroi se ISHP ka të gjitha kapacitetet laboratorike në për të kryer diagnozën e COVID-19. “Ne kemi kapacitetet tona në Laboratorin e ISHP-së ku kryhen të gjitha ekzaminimet e nevojshme dhe të besueshme. Theksoj se ne i kryejmë ekzaminimet tona duke pasur një kontroll pozitiv i cili vjen nga i njëjti ofrues, Instituti Paster dhe Arkiva Europiane e Viruseve. Pra kur del kontrolli pozitiv, po të jetë dhe mostra pozitive do të dalë menjëherë aty”, shpjegoi Bino. Përfaqësuesja e Task-Forcës deklaroi se janë përcaktuar protokollet e menaxhimit klinik të rasteve, është identifikuar se çfarë duhet bërë më tej. Janë përcaktuar spitalet ku do të trajtohen rastet si dhe është koordinuar puna paraprake për trajtimin e rasteve të tjera që kanë këto spitale. Bino bëri apel për bashkëpunimin nga ana e qytetarëve për rritjen e masave higjieno-sanitare.
“Vazhdoj të përsëris masat e higjienës, sepse përveç këtyre masave që marrim ne, kemi nevojë që jo vetëm tani, por edhe kur të izolojmë rastet e para, për bashkëpunimin e publikut. E kemi thënë disa herë, por nuk është asnjë gjë e keqe larja e duarve me ujë dhe me sapun. Larja e duarve, përdorimi i higjienës respiratore, të gjitha këto janë elementë tepër të rëndësishëm”, tha Bino. Në 24 orët e fundit në te gjitha pikat kufitare në total kanë hyrë 20,339 udhëtarë, të cilët janë vlerësuar, mbështetur në survejancën e përforcuar për monitorimin e temperaturës. Në 24 orët e fundit në nr. 127 ka patur 1727 thirrje, nga të cilat 41 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale rekomandon për udhëtarët që kanë udhëtuar nga rajonet e prekura me shpërthime komunitare dhe që kanë patur kontakte me persona të sëmure apo të dyshuar për COVID19 të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore. Si dhe rekomandon qytetaret që kanë udhëtuar në vendet e prekura dhe kanë shenja të infeksionit viral respirator të telefonojnë 127 për të marrë udhëzimet e duhura se si duhet të veprojnë mbështetur në gjendjen e tyre shëndetësore.